Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar pas anulimit të disa vendimeve nga pasardhësja e tij, Meliza Haradinaj – Stublla.
KALLXO.com raportoi sot se Haradinaj – Stublla ka anuluar vendimet mbi procesin e rotacionit diplomatik. Në mesin e vendimeve është edhe pezullimi për kthimin e konsujve dhe shefave të misioneve.
Konjufca përmes një shkrimi ka deklaruar se vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti, pra anulimi i vendimit për kthimin e konsujve, tregon për “orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së”.
Ai thotë se Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e NISMA e që sipas tij, Hoti e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër.
“Edhe vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70%. Ligji thotë që duhet të jenë në 50%”, ka shkruar ai në “Facebook”.
“Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vërtet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes”, tha Konjufca duke shtuar se këto vendime “kriminale” të Qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të mbahen zgjedhjet për të cilat thotë se janë afër.
Ahmeti ka thënë se nga mediat janë informuar se në mesin e vendimeve është edhe pezullimi për kthimin e konsujve dhe shefave të misioneve.
“Nga mediat u informuam që janë anuluar vendimet për largimin e 14 personave që paligjshëm mbanin pozitat e konsujve dhe propozimi që i është dërguar Presidentit për lirimin nga detyra të shefave të misioneve, të caktuar nga çelësi politik, e që po vazhdojnë përtej mandatit të ligjshëm siç parashihet nga neni 7.8 i Ligjit Nr. 03/L-207”, ka thënë Ahmeti. /Xheneta Murtezaj, kallxo.com