Milazim KRASNIQI
Si duket “konspirologët” shqipfolës kurrë nuk do të aftësohen që t’i gjykojnë njerëzit dhe ngjarjet sipas qëllimeve, mjeteve dhe rezultateve që përftojnë. Do të mbesin pengje të dyshimit në gjithkend e në gjithçka. Dhe ashtu do të vazhdojnë të dëmtojnë unitetin dhe kohezionin shoqëror e nacional shqiptar dhe të amnestojnë armiqtë tanë.
Kjo mënyrë e mbrapshtë e të menduarit dhe të gjykuarit po dominon edhe lidhur me sjelljet e deputetërve shqiptarë në ngjarjet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë. Dikush pyet: pse e këndoi Zeka hymnin shqiptar, duke lënë dyshimin se e paskësh bërë në marrëveshje me VMRO-n! Tjetri pyet: pse ata deputet shqiptarë nuk ndenjën në sallë, që të prisnin aty vrasësit e tërbuar, pra, të prisnin si delet në thertore! Një tjetër pyet pse Bilali u largua, i mbuluar nga policia! Dikush madje u kërkon llogari shqiptarëve, për sulmin barbar të bandave të VMRO-s ndaj liderit të Aleancës, Ziadin Selës. I pyesin deputetët tjerë shqiptarë, në mënyrë cinike, se pse nuk ndejtën aty e ta mbronin Selën?! Etj, etj.
O Zot, çka janë këto idiotësira! Nuk dua të bëhem edhe vetë cinikë, por disa prej këtyre horrave, do të ishin të kënaqur po të vritej Sela, që të kishin ‘argumente” më shumë kundër deputetëve të “Lëvizjes Besa!” Duhet të jetë e qartë kjo gjë: veprimet e deputetëve në sallën e Kuvendit, pra edhe të deputëtëve të Besës, duhet të analizohen brenda zhvillimit në Kuvend, e jo në sfond të asaj që ka ndodhur më vonë. Rrjedhimisht, Zeka e evokoi himnin si reagim ndaj deputetit të VMRO-s. Pra, në atë rast rivalizimi me himne, ishte në kuadër të luftës parlamentare. Kurrsesi ndryshe.
Për shijen time, “Lëvizja Besa” do të duhej ta votonte Talat Xhaferrin për kryeparlamentar. Por, edhe ai veprim duhet të shihet në kuadër të kalkulimeve dhe rivaliteteve politike të partive shqiptare. Jo ndryshe.
E fundit: ndër njerëzit e parë në Kosovë kam shkruar për plagosjen e Ziadin Selës dhe kam alarmuar për neglizhencësn e medieve elektronike të Kosovës e të Shqipërisë, i tmerruar prej asaj neglizhence. Disa medie i kam thirr me telefon, për t’i nxitur që të raportojnë sa më shpejt! Edhe pse nuk e njoh personalisht, dëmtimin e Ziadin Selës e kam përjetuar rëndë, si të ishte një i afërm imi. Dhe lutem vazhdimisht për shërimin e tij! Natyrisht, duke qenë i gëzuar që atë sprovë të rëndë, nuk e kanë përjetuar edhe deputetë të tjerë shqiptarë. Vërtet, nuk arrij të kuptoj se çfarë do të fitonte kauza shqipare, po të ishin lënduar a plagosur nga bandat terroriste edhe Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Bilal Kasami e posaçërisht Zeka i himnit. E kundërta është e vërtetë: rreziku nga përshkallëzimi i konfliktit si konflikt ndëretnik në atë rast do të ishte shumë më i madh. E kjo do të ishte saktësisht brenda skenarit të VMRO-s. E di që “konspirologët” shqipfolës nuk e pranojnë këtë qasje, sepse ata vazhdojnë të kërkojnë gjithandej “tradhtarët shqiptarë” e faktikisht të amnestojnë kriminelët e VMRO-s. Por mua nuk më bëhet fare vonë për ta. Disrespektin e kemi të ndërsjellë. (1 maj 2017)