Presidenti Hashim Thaçi ka zgjedhur një kompani lobuese të udhëhequr nga Brian Ballard, për të përmirësuar imazhin e tij. Ballard shquhet për afërsinë e tij me presidentin e ShBA-ve Donald Trump. Presidenca ka tentuar të fshehë disa fakte të marrëveshjës gjysmë milionëshe me kompaninë “Ballard Partners”.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, shteti i Floridës ishte përcaktues i fitores së Donald Trump. Miliarderi amerikan riktheu votat e republikanëve në këtë shtet që ishte stabilizuar si bastion i demokratëve në dy zgjedhjet paraprake presidenciale.
Trump fitoi 100 mijë vota më shumë se Hillary Clinton dhe po ashtu triumfoi nga votat e Kolegjit Elektoral.
E njeriu që konsiderohet se qëndron prapa suksesit të Trump në shtetin jug-lindor amerikan është Brian Ballard.
Ballard, i cili shërbente si nënkryetar i Komitetit Kombëtar Republikan në Florida dhe kishte në pronësi një kompani lobuese në Tallahasse të Majamit, ishte njëri prej mbledhëseve kryesor të fondeve për fushatën presidenciale të Trump.
Pas fitores së Trump, kompania e Brian Ballard – “Ballard Partners” – hapi seli edhe në Washington D.C dhe shënoi suksese në nënshkrimin e kontratave të lobimit me subjekte që dëshirojnë të afrohen me administratën Trump.
Për tu afruar me Presidentin Trump dhe për të lobuar tek ai, këtë kompani e ka angazhuar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Brian Ballard, majtas në fotografi, bashkë me Presidentin amerikan Donald Trump
Në një njoftim të Zyrës së Presidentit të Kosovës në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) bëhet e ditur se më 22 dhjetor Presidenca ka kontraktuar kompaninë lobuese të Brian Ballard, për pranimin e shërbimeve të konsulencës.
Njoftimi tregon se më 22 dhjetor të vitit të kaluar mbi gjysmë milionë euro të taksave të qytetarëve janë bërë gati për tu shpenzuar për ta përmirësuar imazhin e presidentit Thaçi, i cili dyshohet se do të jetë i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Sipas njoftimit të Presidencës, kontrata mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard peshon 517 mijë e 198 euro.
Detajet që Presidenca i mban fshehur
Zyra e Presidentit të Kosovës nuk i ka shpalosur të gjitha detajet e marrëveshjes me kompaninë “Ballard Partners” në njoftimin e saj në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Sipas Zyrës së Presidentit Hashim Thaçi, kontrata me kompaninë lobuese amerikane është paraparë të zgjasë vetëm një vit dhe, sipas saj, kjo marrëveshje pritej të nënshkruhej më 15 janar.
Por, në kontratën mes Presidencës dhe “Ballard Partners” pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë – të siguruar nga Gazeta Express – shpalosen disa detaje të tjera të rëndësishme të marrëveshjes, të cilat mbahen sekrete nga Zyra për Media e Presidentit Hashim Thaçi.
Një nga pikat e marrëveshjes theksohet se kontrata mes Presidencës dhe kompanisë së lobuesit Brian Ballard parashihet të ketë kohëzgjatje prej një viti, me mundësi zgjatjeje edhe për një vit tjetër, e jo prej vetëm një viti obligativ, siç ka thënë Zyra e Presidentit.
Si pasojë, vlera e marrëveshjes së Presidencës dhe “Ballard Partners” mund të arrijë në mbi një milion euro (1 milion e 34 mijë euro), në qoftë se kontrata zgjat dy vite, aq sa është parashikuar. Kontrata është e vlefshme deri më 21 dhjetor të vitit 2019, thuhet në pikën e parë të marrëveshjes.
Pagesa do të bëhet çdo tre muaj, për një shifër prej 156 mijë dollarësh amerikanë.
Por, në këtë pikë të marrëveshjes bëhet e ditur se kontrata mund të ndërpitet pas një vitit, nëse njëra prej palëve bën një kërkesë të tillë.
Po ashtu, Presidenca e ka mbajtur të fshehur faktin se marrëveshja është nënshkruar më 22 dhjetor – siç theksohet në dokumentin e siguruar pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Zyra e Presidentit pretendon se marrëveshja ishte planifikuar të nënshkruhej më 16 janar.
Firmën e kontratës me “Ballard Partners”, për Zyrën e Presidentit, e kishte hedhur Sekretari i Presidencës, Fehmi Mehmeti, më 22 dhjetor.
Në njoftimin për kontratë mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard, bëhet e ditur se nuk ka pasur tender të hapur për angazhimin e kompanisë “Ballard Partners”. Kompania e Ballard ka qenë i vetmi konkurrent, nëpërmjet procedurës së negociuar/të mbyllur.
Por, Presidenca thotë se procedurat për angazhimin e kësaj kompanie janë zhvilluar konform ligjit.
“Procedurat kanë filluar pas kërkesës që Presidenca i ka bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës. Pas miratimit të buxhetit nga komisioni dhe më vonë nga Parlamenti i Kosovës, përmes ligjit të buxhetit, Presidenca ka zhvilluar procedurat në harmoni me ligjin”, ka deklaruar Zyra e Presidentit.
Zyra e Presidentit shpreson që kompania e Ballard të ndihmojë në formimin e ushtrisë
Zyra e Presidentit të Kosovës ka thënë se kompania lobuese amerikane “Ballard Partners” do t’i ofrojë Kosovës ndihmë në transformimin e FSK-së, në një sërë projektesh.
Në mesin e këtyre projekteve, Zyra e Presidentit Thaçi shpreson që “Ballard Partners” do t’i ofrojë konsulencë Kosovës edhe për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në një prononcim për Insajderin, Zyra për Media e Presidencës ka thënë se kompania “Ballard Partners” do të ndihmojë Kosovën edhe në proceset integruese euro-atlantike, e në thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Kompania do ndihmojë shtetin tonë në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe sigurinë, nxitja e investimeve tregtare etj”, ka thënë Zyra e Presidentit Hashim Thaçi.
Presidenca thotë se një nga arsyet përse u angazhua kjo kompani, ka të bëjë me mbështetjen e iniciativave të institucioneve të Kosovës për implementimin e synimeve strategjike.
“Ajo [Ballard Partners, v.j], me përvojën dhe kontaktet që ka, do të mbështes iniciativat e institucioneve të Kosovës për ballafaqimin më të kaluarën, duke ndihmuar në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Presidentit, për Insajderin.
Presidenca thotë se “Kompania [Ballard Partners, v.j] do ndihmojë shtetin tonë në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe sigurinë, nxitja e investimeve tregtare etj”.
Dy liderë ballkanik të afërt me Thaçin kanë angazhuar të njëjtën kompani
Para fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kompania e lobimit “Ballard Partners” nuk ishte ende e njohur në masë të madhe për punën e saj. Firma e Brian Ballard kishte zyrën kryesore në një qytet të vogël të Floridas – në Tallahasse.
Por, pas triumfit që e çoi Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, në Washington D.C, edhe kompania e Ballard hapi seli në kryeqytetin amerikan.Që nga atëherë, “Ballard Partners” ka nënshkruar kontrata milionëshe me organizata dhe institucione të njohura botërore.
Në mesin e këtyre marrëveshjeve milionëshe, futen edhe dy kontratat që firma e Brian Ballard ka nënshkruar me Presidencën e Republikës së Turqisë, që drejtohet nga Rexhep Taip Erdogan dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama. Të dy këta liderë të afërm me Hashim Thaçin në lidhjet e tij politike.
Partia Socialiste në Shqipëri, e kryeministrit Edi Rama, në prill të vitit të kaluar punësoi kompaninë “Ballard Partners”. Konsulenca e “Ballard Partners” do t’i kushtojë 240 mijë dollarë partisë shqiptare, nëse kontrata zgjat aq sa është parashikuar, për një vit.
Disa muaj më vonë, edhe Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan e kontraktoi këtë kompani për shërbime konsulence.
Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, të kryer në muajin maj të vitit të kaluar, presidenti turk shfrytëzoi rastin që të punësonte kompaninë e biznesmenit Ballard.
Ndryshe nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama, Presidenti i Turqisë ka angazhuar lobuesin Brian Ballard për të ndikuar dhe bindur Administratën Trump që t’i vihen pas dhe të ekstradojnë në Turqi klerikun turk, Fethullah Gulen.
Turqia akuzon Gulenin për puçin e dështuar që ndodhi para rreth dy vjetëve.