Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama ndaj BE-së.
Gahler nëpërmjet një deklaruare ka kritikuar kreun e qeverisë lidhur me deklaratat e fundit që ai ka bërë lidhur me qëndrimin e tij ndaj Bashkimit Europian.
Duke iu referuar Turqisë, Gahler i kujton Ramës se duhet të ketë kujdes me pazaret joevropiane dhe me shtete jomiqësore ndaj Evropës.
Po ashtu, Michael Gahler vë në dukje se kushtet e papërmbushura nga Shqipëria për nisjen e negociatave dhe apelon qeverinë që të plotësojë e jo të mohojë kushtet.
DEKLARATA E PLOTË:
Kur bëhet fjalë për kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave të pranimit, miqtë e një Shqipërie evropiane nuk duhet të irritohen shumë dhe për kohë të gjatë nga ata që kanë për detyrë t’i përmbushin! Dmth nga qeveria!
Konkluzionet e Këshillit Evropian janë të ditura, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë të ditura, teksti dhe fryma e marrëveshjes së 5 qershorit është e ditur!
Kjo e fundit është shkelur, ndërkohë që nuk ka progres në shumë kushte
-Ligji për median nuk është përmirësuar;
-zyrtarë të përfshirë në manipulimin e votave i kanë shpëtuar ndjekjes penale;
-gjithashtu zyrtarë të lartë të qeverisë e ish magjistratë të gjyqësorit të përfshirë në korrupsion i kanë shpëtuar ndjekjes penale;
-pastrimi i parave mbetet një shqetësim i paadresuar, nisur edhe nga skandali i fundit;
-kushtetutshmëria e zgjedhjeve lokale të 2019 ende nuk është sqaruar;
-ngritja e institucioneve të reja të gjyqësorit është e ngadaltë;
Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë evropiane, qoftë duke mohuar këto kushte apo duke përgojuar BE për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta në shkelje të ligjit evropian.
Këto janë çështjet që kam ngritur në forume evropiane e do të vazhdoj të ngre për hir të besueshmërisë së vendit dhe të ecurisë së shpejtë drejt anëtarësimit.