Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizuan tryezë me qytetarë dhe biznese për të diskutuar rreth strukturës së re tarifore të propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), njofton kumtesa nga kjo OJQ, transmeton Koha.net.
Tryeza shtjelloi ndikimin që do të kenë ndryshimet e propozuara nga ZRRE në çmimin e energjisë te sektori familjar dhe ai komercial me fokus te bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe ndikimin potencial në kërkesën e përgjithshme të energjisë në vend.
Përfaqësuesit nga INDEP dhe KOSID prezantuan analizën të cilën e kanë hartuar duke marrë për bazë strukturën e propozuar, e cila parasheh heqjen e tarifave sezonale dhe bllok tarifave dhe mbajtjen e tarifave të larta dhe të ulëta (ditë dhe natë).
Abazi nga INDEP u shpreh se heqja e tarifave sezonale dhe e atyre të blloqeve është ndryshim tejet i madh që ndikon edhe në xhepin e konsumatorëve por edhe në sjelljen e tyre karshi konsumit të energjisë elektrike. “Ne argumentojmë që struktura e re e propozuar rritë çmimin e energjisë për shtresën më të ndjeshëm të shoqërisë, të cilët në mungesë të kushteve financiare kujdesen që të kursejnë energjinë elektrike. ZRRE nuk është treguar e sinqertë që të tregojë se kategoritë e varfra të shoqërisë do të pësojnë më së shumti nga ndryshimi i tarifave. Gjithashtu, struktura e re tarifore nuk ofron masa nxitëse bizneset e vogla dhe të mesme, një pjesë e madhe e të cilave kryejnë aktivitetin e tyre biznesor kryesisht gjatë muajve të verës – dhe me tarifat e reja pritet që për një pjesë të madhe të bizneseve do të ketë rritje të faturave të energjisë elektrike,” – tha Abazi.
Ymer Fejzullahu, udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRRE, tha se në dokumentin propozues të ZRRE-së janë renditur parimet kryesore të propozimit të strukturës së re të cilat qartësojnë arsyet për propozimet në ndryshimin e strukturës tarifore.
“Parimet kryesore lidhur me dizajnimin e strukturës tarifore kanë për qëllim që tarifat e energjisë elektrike të jenë të arsyeshme, transparente, të kuptueshme, të pasqyrojnë kostot dhe të nxisin konsum efiçient. Në këtë mënyrë pra, propozimi i bërë do të jetë edhe i kuptueshëm, por edhe i arsyeshëm ku do të pasqyrohen kostot qartë dhe do të nxitet efiçienca. Gjithashtu, struktura e re e propozuar ka për qëllim përshtatjen e sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga kërkesat ligjore për liberalizim të tregut dhe harmonizimit me pakon e tretë të legjislacionit evropian. Megjithatë, propozimi mbi strukturën nuk është vendim i marrë ende, duke qenë se është në konsultim publik, mirëpo ajo përmban në vete komponentët kryesorë që janë thjeshtësimi i strukturës aktuale dhe nxitja e shfrytëzimit efikas të energjisë gjatë pikut dhe jashtë saj,” tha Fejzullahu.
Përfaqësuesja nga KOSID, Rinora Gojani, tha se ZRRE-ja duhet të rishqyrtojë këtë propozim dhe të mos ndryshoj strukturën aktuale të tarifave të energjisë elektrike.