Ideja për krijimin e një tregu të përbashkët në Ballkan nuk ka gjetur mbështetje në mesin e vendeve të Ballkanit, përfshirë Kosovën, e cila e ka kundërshtuar hapur këtë union, shkruan sot Koha Ditore.
Ideja për unifikim të tregut u riaktualizua muajin e kaluar në punimet e Samitit të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i njohur si “Western Ballkan 6”, i mbajtur Sarajevë, e ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Në takim, përveç kryeministrit Mustafa, ishin edhe komisari i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe kryeministrat e Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Alfano.
Ky samit është mbajtur në kuadër të përgatitjeve për samitin e radhës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili pas Berlinit, Vjenës dhe Parisit sivjet do të mbahet në Trieste të Italisë.