Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, njoftoi të mërkurën se 133,234 doza të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit janë hequr nga përdorimi, për shkak të skadimit të afatit.
Vitia tha se Kosova, aktualisht, nuk është në situatë kur duhet të zgjedhë vaksina, “sidomos kur ato janë të sigurta”. “Vaksinat që janë në stoqet tona, janë të sigurta”, tha Vitia, duke shtuar se sigurinë e tyre e garantojnë edhe mekanizma si: Organizata Botërore e Shëndetësisë, Agjencia Evropiane e Barnave apo Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së.
Dy vaksinat kundër koronavirusit që përdor Kosova, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca. Vitia tha se qendrat e vaksinimit në Kosovë tash për tash posedojnë 108,856 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe 46,947 doza AstraZeneca. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim në Kosovë do të arrijnë edhe doza të tjera, ndërsa tha se qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe fundjavave, nisur nga 11 shtatori.
Deri të mërkurën, në Kosovë janë dhënë mbi 841,000 vaksina kundër koronavirusit. Në total, 284,269 qytetarë janë vaksinuar plotësisht. Kosova aktualisht është duke kaluar nëpër një valë të rëndë të pandemisë, me mbi 27,000 raste aktive të të infektuarve./REL