Kosova i tregoi Shqipërisë që s’mund ta ndërtosh të renë me politikanë të vjetër!

Nga Kim Mehmeti
Dhe si gjithmonë, sa herë që ‘Shqipëritë’ tona organizojnë zgjedhje, në fushatat parazgjedhore ‘përfshihen’ edhe diplomatët e huaj, duke na treguar se si duhet votuar. Gjë që më së miri e pasqyron paaftësinë tonë që ta pastrojmë plehun politik që na ka mbuluar.
Kur bëhet fjalë për plehun politik që ka mbuluar shoqëritë shqiptare, dukhet thënë hapur se ai nuk do ishte aq i madh nëse të huajt nuk do e flijonin demokracinë në emër te stabilokracisë, e të cilën stabilokraci askush nuk mund ta garantonte aq mirë sa rrugaçët e hajdutët partiak.
Tani kur nisi fushata parazgjedhore në Shqipëri mbetet të besojmë se më në fund edhe të huajt e kanë kuptuar se ne kemi popull të qytetëruar, popull proamerikan e properëndimorë, por të lënë në duart e kastave politike që demokracinë e përcaktojnë sipas thellësisë së xhepit të vet.
Ndërkohë ne nuk duhet të lejomë që të na verbërojë vetëgënjimi se të huajt do na shpëtojnë nga e keqja jonë politike, vetëgënjimi që do na pamundësojë të shohim se shpeshherë, të huajt nuk heqin dorë nga politikanët tanë pse ata janë fatkeqësia e popullit, por pse aq shumë rriten mendsh sa bëhen të padëgjueshëm ndaj të tyre.
Siç ndodhi me Piktorin i cili është duke e humbur përkrahjen e të huajve edhe pse nisi të besojë se bota ka nevojë për batutat e tij, pse harroi se diplomatët dhe burrështetasit e huaj dinë të dallojnë dhuntitë e cirkuzantit nga ato të politikanit.
Sidoqoftë, hapja e fushatës parazgjedhore në Tiranë, shpërfaqi dy fytyrat dominuese politike të Shqipërisë: atë të ‘qelbësirave’ të bashkuara rreth ‘Rilindjes’ së Piktorit, e cila tanë ka përfshirë në vetvete edhe nostalgjinë e ‘gjysheve’ për kohët enveriste, dhe nga ana tjetër, fytyrën qytetare të opozitës së bashkuar.
Hapja e fushatës parazgjedhore në Shqipëri e shpalosi edhe të vërtetën se vetë ‘Rilindësit’ e Piktorit e kanë kuptuar që u ka mbetur vetëm një mundësi për ta mbuluar shëmtinë e vet – trëndafili i Partisë Socialiste, të cilën ata e shkatërruar po aq sa edhe Shqipërinë dhe e cila parti në të vërtetë as që ekziston më.
Hapja e fushatës parazgjedhore në Shqipëri tregon se edhe kësaj radhe beteja do zhvillohet mes rrugaçërisë politike që donë të mbulohet me pohimet se pas sjelljeve qytetare të drejtuesit të opozitës së bashkuar fshihet e shkuara politike e Shqipërisë, nga e cila e shkuar Piktori e përjashton vetveten edhe pse tri dekada me radhë, e trajtoi Shqipërinë si gjithë të tjerët: si lopë të cilën e ushqen i tërë populli, por të cilën e mjelin vetëm burrështetasit e saj.
Hapja e fushatës parazgjedhore në bulevardet e Tiranës tregoi se Piktori i ka harxhuar gjitha batutat me të cilat e zbaviste popullin dhe tani i ka mbetur vetëm gënjeshtra se duke e luftuar drejtuesin e opozitës, ai i lufton politikanët që fshehën pas tij. Me çka e dëshmon të vërtetën se çdonjëri i peshon gjërat me kandarin e vet, kështu që duke e ditur se vetë ai është fytyra pas së cilës fshihen ‘qelbësirat’ e bashkuara të ‘Rilindjes’, ai nuk mund ta besojë se drejtuesi i opozitës është atë që tregohet dhe atë që duket.
Por fushata parazgjedhore do kalojë dhe do vijë 25 prilli kur Shqipëria do duhet ta dëshmojë sa e ka kuptuar porosinë që ia dërgoi Kosova: se nuk mund të ndërtosh Shqipëri të re pa u çliruar atë nga gjeneratat e vjetra politike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme