Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende nëse është e gatshme të pranojë refugjatë nga Ukraina.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, më shumë se 660,000 refugjatë i kanë ikur luftës në Ukrainë për të kërkuar strehim në shtetet fqinje, siç janë Polonia, Sllovakia, Hungaria, Moldavia, Rumania.
Më 28 shkurt, refugjatët e parë kanë arritur edhe në Serbi.
“Numrat janë duke u rritur shpejt. Në këtë shkallë, situata mund të kthehet në krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë këtë shekull”, ka thënë zëdhënësja e Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, Shabia Mantoo para gazetarëve në Gjenevë më 1 mars.
Qeveria e Kosovës ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe ka vendosur sanksione në linjë me ato të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Në pakon e sanksioneve përfshihet ngrirja e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i tyre në tregje financiare dhe masa tjera kufizuese që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për pushtim rus në Ukrainë.
Në pyetjen se a është duke e shqyrtuar Qeveria pranimin e refugjatëve nga Ukraina, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se Kosova është rreshtuar kah bota demokratike.
“Përveç solidarizimit ndaj shtetit të Ukrainës dhe popullit ukrainas, Qeveria tashmë ka vendosur edhe sanksione ndaj Rusisë në linjë me sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Kryeziu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar së fundi për mediat në Kosovë se vendi që ajo udhëheq është i gatshëm të pranojë refugjatë nga Ukraina, në përputhje me kapacitetet që ka Kosova.
Shala: Kosova nuk ka kapacitete për të strehuar refugjatë
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar më herët se Kosova ka kapacitet për strehim të deri 3,500 refugjatëve.
Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, thotë se Kosova nuk mund t’i mbyllë dyert për refugjatët ukrainas, por nuk ka kapacitete t’i strehojë për kohë të gjatë.
“Vetëm nëse organizatat e huaja ndërkombëtare, Bashkimi Evropian apo SHBA-ja ndihmojnë në aspektin logjistik edhe material, Kosova mund të strehojë një numër simbolik të refugjatëve nga Ukraina, në të kundërtën nuk ka kapacitete”, thotë Shala.
Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve: një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës.
Këto dy qendra kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se 100 persona.
Kosova nuk është përballur me numër të madh të refugjatëve, por vendi kryesisht përdoret si transit për vende të ndryshme të Evropës.
Në vitin e kaluar, Kosova ka ofruar qëndrim për gati 1,000 refugjatë nga Afganistani.
Refugjatët nga Afganistani janë vendosur në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj, dhe në kampin Bondsteel, po ashtu në Ferizaj.
Pranimin e refugjatëve nga Afganistani në Kosovë e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara.