Që nga protestat studentore të vitit 1968, Serbia ka ndërtuar dhe promovuar një narrativë të rreme, duke e paraqitur Kosovën si një vatër të ekstremizmit islamik. Kjo fushatë propagandistike e manifestuar në forma të ndryshme është përdorur për të delegjitimuar përpjekjet e Kosovës për vetëvendosje dhe për të krijuar një imazh negativ në arenën ndërkombëtare.
Në raportin “Mes frikës dhe propagandës – Ekstremizmi religjioz në Kosovë” të Instituti të Kosovës për Siguri dhe Riziliencë – Prevent, raporti analizon dhe kundërshtoon pretendimet e Serbisë për të portretizuar Kosovën si vend vatër e ekstremizmit islamik. Ky dokument ka një rëndësi të veçantë në kontekstin aktual, ku propaganda serbe vazhdon të ketë një ndikim të madh në perceptimin ndërkombëtar mbi Kosovën.
Një nga strategjitë kryesore të propagandës serbe ka qenë përpjekja për të etiketuar UÇK-në dhe ushtarët e saj si ekstremistë islamikë. Megjithatë, kjo narrativë ka qenë vazhdimisht e kundërshtuar nga studiues të njohur ndërkombëtarisht. Historiani i njohur Tim Judah, në librin e tij Kosovo: War and Revenge, e përshkruan UÇK-në si një lëvizje që lind për të kundërshtuar dhunën serbe, duke e theksuar që lufta e saj ishte e motivuar nga aspiratat për liri dhe jo nga agjenda fetare.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, propaganda serbe ka marrë një dimension të ri. Pjesëmarrja e disa qytetarëve të Ballkanit në konfliktet e Lindjes së Mesme është shfrytëzuar për të intensifikuar narrativën e rreme për të paraqitur Kosovën si një vatër të radikalizmit islamik. Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më parë se “Kosova është qendra e radikalizmit islamik në Ballkan”, duke theksuar se këto pretendime janë të pabazuara dhe të motivuara nga agjenda politike.
Në këtë çështje, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka pretenduar në një fjalim në OKB se “Kosova është bërë një bazë për rekrutimin e terroristëve islamikë”. Këto komente nuk janë vetëm deklarata të izoluara, por pjesë e një strategjie më të gjerë për të keqinformuar opinionin publik dhe për të ndikuar në politikën ndërkombëtare lidhur me Kosovën.
Këto pretendime të pabazuara janë pjesë e një fushate të gjatë dezinformimi, e cila ka për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe pengimin e saj në rrugën e integrimit ndërkombëtar. Instituti PREVENT thekson se pavarësisht kësaj propagande të dëmshme, Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm në forcat e saj të brendshme për të garantuar stabilitet dhe siguri.
Raporti gjithashtu sjell në vëmendje se Kosova është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian dhe Koalicioni Global Kundër Terrorizmit për angazhimin e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Si partner i besueshëm në përpjekjet globale kundër ISIS-it, Kosova ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për sukseset e saj në ndalimin e rrjeteve ekstremiste dhe riintegrimin e qytetarëve të kthyer nga zonat e konfliktit.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të qarta, Serbia vazhdon të shpërndajë narrativa të pabazuara që e lidhin Kosovën me terrorizmin. Strategjia e dezinformatës së Serbisë është thelluar më tej me mbështetje nga Rusia, e cila ka bashkëpunuar në përhapjen e informacionit të rremë pas vitit 1999. Kjo ka ndihmuar në krijimin e një imazhi negativ të Kosovës në këtë rajon të ndjeshëm.
Mes tjerash, hulumtuesit Karmen Erjavec dhe Zala Volqiq theksojnë se Serbia shpesh përpiqet të lidhë fushatën e saj ushtarake me luftën globale kundër terrorizmit, gjë që tendos perceptimin ndërkombëtar mbi veprimet e saj. Kjo taktikë shpesh përfshin përdorimin e frikës dhe stigmatizimin e shqiptarëve si një strategji për justifikimin e politikave të saj agresive.
Megjithatë, Kosova është angazhuar aktivisht të luftojë këtë dezinformim, duke miratuar ligje dhe strategji që ndalojnë përfshirjen e qytetarëve të saj në konflikte të huaja dhe krijuar një kornizë të qartë dhe efektive për të adresuar çështjet e ekstremizmit. Kjo përfshin zhvillimin e një strategjie kombëtare kundër terrorizmit dhe një përkushtim të vazhdueshëm për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Raporti i plotë: Raporti për islamin dhe propagandën