Instituti Atlas ka zbuluar se Kosova kryeson një listë shqetësuese, duke u renditur si vendi evropian me numrin më të lartë të vdekjeve të parakohshme për milion banorë, të shkaktuara nga ndotja e ajrit.

Në një postim të fundit në Facebook, instituti ndau grafikën e publikuar që tregon se Kosova është në krye të kësaj liste alarmante, e ndjekur nga vende si Serbia, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja dhe Hercegovina. Këto të dhëna nxjerrin në pah kërcënimet që ndotja e ajrit paraqet për shëndetin publik në këtë pjesë të Evropës.

Referuar njoftimit të Institutit Atlas, ndotja e ajrit origjinon kryesisht nga aktivitete të tilla si trafik, industri dhe djegie e karburanteve, gjë që përkeqëson ndjeshëm situatën shëndetësore në Kosovë dhe në rajon.

“PM2.5 janë grimca të imta të ajrit—30 herë më të vogla se një fije floku—të cilat arrijnë të depërtojnë thellë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut. Këto grimca sjellin rreziqe të larta për shëndetin, duke shkaktuar sëmundje si problemet kardiovaskulare, kancerin e mushkërive, dhe goditjet në tru,” shpjegon raporti.

Instituti Atlas thekson se ajri më i pastër është i lidhur me jetë më të gjata dhe më të shëndetshme. Kjo nënkupton se një ndërhyrje e shpejtë dhe efektive në politikën mjedisore është e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe shëndetin e popullatës.

Një javë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik identifikoi ndotjen e ajrit si një nga kërcënimet më serioze për shëndetin e njeriut, veçanërisht për grupet e ndjeshme si fëmijët dhe personat me sëmundje kronike të frymëmarrjes.

Efektet shëndetësore afatshkurtër të ndotjes së ajrit përfshijnë rritjen e shtrimeve në spital, komplikimeve shëndetësore dhe vdekjeve, ndërsa efektet afatgjata përfshijnë rritjen e incidencës së sëmundjeve si kanceri i mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare dhe ato pulmonare.

Shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve të lidhura me ndotjen e ajrit përfshijnë sëmundjet ishemike të zemrës, goditjet në tru, dhe sëmundjet e frymëmarrjes. Sëmundjet obstruktive kronike, bronhiti, e emfizema janë gjithashtu në rritje si pasojë e ajrit të ndotur që ne marrim çdo ditë.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se ndotja e ajrit shkakton pothuajse 500.000 vdekje të parakohshme çdo vit në botë. Më shumë se 290.000 nga këto vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të larta, ndërsa rreth 190.000 në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Kjo statistikë duhet të shërbejë si një thirrje për veprim për të gjithë ata që përfshihen në politikat mjedisore dhe shëndetësore.