Pos pjesës zyrtare të delegacionit, që përbëhet nga skitari i vetëm i Kosovës, Albin Tahiri, trajneri Agim Pupovci, shefi i misionit Bujar Turjaka dhe përgjegjësi për informim Kushtrim Krasniqi, në Pyeongchang po qëndrojnë edhe plot zyrtarë të tjerë, shumica drejtues të KOK-ut.
Në Kore të Jugut janë kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm Shasivar Haxhijaj, nënkryetarët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtari i Bordit të KOK-ut, Avni Nuha dhe Skënder Krasniqi.
Të fundit që delegacionit të Kosovës iu bashkuan delegacionit ishin presidenti Hashim Thaçi së bashku me një këshilltar të tij dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firiz.
Koha Ditore javën e shkuar raportoi se në Pyeongchang pritet të marrin pjesë 16 zyrtarë e një sportist.
Aktualisht janë një skitar dhe 12 zyrtarë, por numri mund të rritet.
Delegacioni i Kosovës ishte shumë i madh edhe në Rio në gushtin e vitit 2016, ndërsa të mëdha ishin edhe shpenzimet. Por u fol pak për to pas suksesit të Majlindës, përkatësisht medaljes së artë.
Ka gjasë që sërish për shpenzimet të mos mësohet shumë, debutimi do të vlerësohet si sukses i madh dhe do të shërbejë si “mbulesë” për të gjitha.
Shumica e anëtarëve të delegacionit po shijojnë atmosferën olimpike në Pyeongchangun e ftohtë.