Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar të hënën një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë, njoftoi Zyra e kryeministrit Albin Kurti.
Fabrika do të prodhojë “kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s”, thuhet në njoftim.
“Krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar sot, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim”, tha kryeministri Kurti.
Ajo tha se fabrika do të veprojë si ndërmarrje publike dhe si “markë 100% vendore” e Kosovës.
Më 27 nëntor, Kurti tha se ka nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë. Sipas tij, ky është “një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte thënë se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”.
“Për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit, kemi pranuar një raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë. Jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti”, kishte thënë ai, në një konferencë për media.
Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.
Se sa dronë ishin blerë, nuk ishte bërë e qartë atë kohë.
Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025 është paraparë të jetë 207.8 milionë euro, apo 54 milionë euro më shumë sesa këtë vit.
FSK-ja është aktualisht në proces të transformimit në ushtri të rregullt. Deri në fund të këtij procesi, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht./REL