Bankat e Kosovës vazhdojnë të jenë dorëlëshuar kur bëhet fjalë për kreditë. Mbi 2 miliardë euro është vlera e kredive që kanë lëshuar bankat komerciale në tërë Kosovën nga janari e deri në shtator të këtij viti.
Një pjesë të madhe të këtyre mjeteve, klientët nuk ua kanë kthyer fare bankave dhe këto kredi po konsiderohet joperformuese ose të këqija.
Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur për arbresh.info se nga kreditë e lëshuara brenda 10 muajve të këtij viti, afro 87 milionë euro janë kredi joperformuese.
“Vlera e kredive në muajin shtator 2017 është 2.392 miliardë euro. Vlera e kredi joperformuese në muajin shtator 2017 është 86.935 milion euro. Vlera e kredive për biznese në muajin shtator 2017 është 1.533 miliardë euro, ndërsa për kredi personale 856.6 milion euro”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se politikat kreditore në Kosovë janë të ashpra dhe jo në funksion të bizneseve.
Musa Limani, profesor i ekonomisë ka thënë për arbresh.info se normat e larta të interesit dhe afati i kthimit të kredive nuk janë të favorshme.
“Politikat kreditore të cila paraqesin një instrument të rëndësishëm të politikës kreditore ekonomike janë të ashpra në Kosovë që realisht duhet të jetë e kundërta, prandaj politikat kreditore tek ne nuk është në funksion sa duhet të bizneseve, përkundrazi, në shumë raste ajo i ngulfat bizneset pikërisht për shkak të normave të larta të interesit apo të kamatave dhe afatit të kthimit që do të ishte shumë më e drejtë dhe ma logjike ekonomike të jetë e kundërta”, ka thënë Limani.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Bankës Qendrore duhet të ndërmarrë hapa që të mos lejoj diferencën shumë të madhe të normës së interesit për kreditë dhe për depozitat.
“Bankat komerciale realizojnë ekstra profit, realizojnë fitime të mëdha, prandaj në qoftëse se Qeveria dëshiron që në të ardhmen politikat kreditore të jenë në funksion të bizneseve dhe të ndikohet në zhvillimin e brendshëm ekonomik duhet të ndryshoj ambientin, dhe të ndryshoj kushtet e dhënieve të kredive dhe ato duhen t’i kenë kreditë më të buta në kuptimin që normat e interesit të jenë dukshëm më të ultë dhe afati i kthimit të jetë më i gjatë”, është shprehur eksperti Limani.
Ndërkaq, për ekspertin e ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, niveli aktual i kredive të këqija nuk është shumë shqetësues.
“Kur kemi parasysh nivelin e përgjithshëm të kredive, si edhe ambientin për biznes, atëherë niveli i kredive të këqija nuk është shqetësues. Bankat kane potencial financiar që të përballojnë këtë nivel dhe ai deri me tani nuk ka ndikuar në përkeqësimin e stabilitetit te sistemit bankar. Po ashtu, përkundër te gjitha rrethanave, ne krahasim me vendet e rajonit, Kosova ende vazhdon te këtë pjesëmarrjen me te ulet te kredive te këqija”, ka thënë Rexhepi.
Sipas tij, për moskthimin e kredive nga qytetarët apo bizneset ndikojnë rrethanat jostavile dhe pamundësia për projektimin real të fuqisë financiare për të ardhmen.
“Kontratat e punës në sektorin privat janë jostabile, prandaj edhe ndodhe që kredimarrrsit të humbin vendin e punës, pa marre parasysh se lejimi i kredisë është bazuar në të ardhurat që ai realizon nga puna që bënë. Ose, mund të ndodhë përkeqësimi i afarizimit të bzineseve, për shkak të tregut jostabil dhe kjo rrezikon përmbushjen e detyrimeve që ka ai ndaj bankave”, është shprehur ai.
Rexhepi ka thënë se bankat duhet të ndërmarrin masa preventive përmes të cilave do të përmirësonin rrethanat në të cilat ndodhet huamarrësi e jo të marrë masa ndëshkuese për ta përkeqësuar edhe më shumë gjendjen.