Nga sot(e shtunë) vendi ynë do të jetë nën ndikimin e një turbullire nga Atlantiku, që pritet të kaloj nga rajoni ynë, duke sjellë përkeqësim të motit me vranësira dhe shtrëngata me shi, në orët e pasdites dhe mbrëmjes priten zhvillime të vranësirave, të cilat do të shoqërohen me rrebeshe lokale shiu dhe bubullima. Të reshurat pritet të vazhdojnë edhe ditën e diel, ku vende-vende mund të jenë më intensive, transmeton lajmi.net.
Mot jostabil me mundësi për reshje lokale shiu dhe bubullima do të vazhdoj të mbajë edhe në fillim të javës së ardhshme.
Temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë, por që do të mbesin rreth vlerave mesatare për këtë periudhë kohore. Maksimalet do të luhaten nga 26C deri në 30C, e minimalet nga 14C deri në 17C.
Era do të fryejë kryesisht nga ana veriore 5-10m/s.
Sipas parashikimeve të fundit, në fundjavën e ardhshme shfaqen tendenca për depërtim të masave më të ftohta ajrore nga veriu i kontinentit, të cilat mund të ulin ndjeshëm temperaturat nën vlera mesatare.