Nga pesë anëtarët që kanë qenë në garë, Isufaj ka marrë votat unanime për ta pasuar kryeprokurorin aktual, Aleksandër Lumezi.
“KPK-ja vlerësoi gjatë takimit të sotëm se tërë procesi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ka qenë objektiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Por, me këtë propozim të KPK-së është shprehur e brengosur shoqëria civile, që e ka monitoruar procesin e përzgjedhjes, për të cilin kishte gjetur shkelje të shumta që i kishin shtyrë të kërkonin kthimin e tij në pikën zero.
“Z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista në komision kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht. Njëherësh, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve”, thuhet nga koalicioni i OJQ-ve.
Propozimi i KPK-së do t’i dorëzohet presidentes Vjosa Osmani për dekretim, por nga shoqëria civile kanë kërkuar që kjo e fundit t’i marrë parasysh vërejtjet para se të vendosë për emërim.
“Koalicioni i bën thirrje presidentes që, në kuptim të mandatit të saj kushtetues për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit ashtu që mangësitë e theksuara objektive të këtij procesi t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim”, thuhet nga koalicioni i OJQ-ve.
Se do të bashkëpunojë me shoqërinë civile është deklaruar edhe vetë presidentja, por nga zyra e saj nuk kanë kthyer përgjigje nëse do ta dekretojnë ose jo të propozuarin e KPK-së pas kontestimit të procesit nga shoqëria civile.
Por, ditë më parë presidentja Osmani ka thënë se në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit do të emërohet një person me integritet të dëshmuar.
“Sikurse për çdo emërim tjetër, por në veçanti me këtë emërim integriteti duhet të dëshmohet, jo vetëm të flitet për të, integriteti përgjatë tërë karrierës së personit që do të propozohet, përgjatë tërë karrierës në sistemin e drejtësisë duhet të dëshmohet dhe në këtë drejtim do të bashkëpunoj edhe me shoqërinë civile”, kishte thënë ditë më parë presidentja Osmani.
Për mundësinë e mosdekretimit dhe vërejtjet e shoqërisë civile është pyetur edhe KPK-ja, por ai nuk është deklaruar.
E nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë dhënë kurrfarë qëndrimi për këtë çështje, me arsyetimin se nuk u takon t’i komentojnë këto zhvillime.
© KOHA.