Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi I është kundërpërgjigjur kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për akuzat rreth fondit “Vendlindja Thërret”, transmeton Klan Kosova.
“Kandidati i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit, për Kryetar Komune te Drenasit, qenka marrë goxha shumë me mua e Fatmirin, për çështjen e Fondit “Vendlindja Thërret”?! Këtyre njerëzve të pafytyrë duhet t’ua them se: Dy të parët dhe i treti, të merren vesh mes veti, se kush nga këta e mbajnë përgjegjësinë për ndarjen e Fondit në fjalë?”
” Kush nga ata rrinin në Tiranë dhe me parat e kujt jetonin atje? Ku i merrte parat Ramiz Lladrovci? Ku i merrnin Hashimi e Kadriu? Kush nga ju i merrte parat nga Fondi i Zvicrës e kush nga ai i Gjermanisë? Madje në mes këtyre treve kishte dallime aq të mëdha sa edhe UCK-në e kishin bërë copa-copa”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Klan Kosova.
Lexoni më poshtë shkrimin etij të plotë:
A JU VJEN MARRE KUR NDËRSENI E GËNJENI?
Nga Jakup Krasniqi
Kandidati i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit, për Kryetar Komune te Drenasit, qenka marrë goxha shumë me mua e Fatmirin, për çështjen e Fondit “Vendlindja Thërret”?! Këtyre njerëzve të pafytyrë duhet t’ua them se: Dy të parët dhe i treti, të merren vesh mes veti, se kush nga këta e mbajnë përgjegjësinë për ndarjen e Fondit në fjalë? Kush nga ata rrinin në Tiranë dhe me parat e kujt jetonin atje? Ku i merrte parat Ramiz Lladrovci? Ku i merrnin Hashimi e Kadriu? Kush nga ju i merrte parat nga Fondi i Zvicrës e kush nga ai i Gjermanisë? Madje në mes këtyre treve kishte dallime aq të mëdha sa edhe UCK-në e kishin bërë copa-copa. Këto copa kam arritur t’i bashkoj unë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri (pas kthimit nga Parisi). Ramizi besoj se nuk ka harruar se çfarë raportesh kishte me Xhavit Halitin dhe Azem Sylen në Tiranë. Raporte hiq më të mira nuk kishte as me Hashimin dhe Kadriun edhe shumë vite pas luftës. Pse ky anëtar i devotshëm i partisë i bëri lëvizjet nga PDK në AAK dhe përsëri në PDK? Çka u bë sot që u bëre bashkë me ata që i shantazheve gjatë? Dhe si duket nuk te shkoi bash huq!
Pas lufte kandidati për Kryetar te Drenasit (i PDK-es) i ka shantazhuar, Hashimin dhe Kadriun me një incizim. Ai duhet të tregoi, se çka përmbante ai incizim me te cilin i shantazhonte shefat e tij të sotme?! Madje ai duhet t’i tregoi opinionit, çka bëri pas luftës me parat e “Fondit Vendlindja Thërret”? A e ke blerë ndonjë banesë në Tiranë? Si u bëre biznesmen? Ke e akuzoje për futjen në “Listën e Zezë” të SHBA-së? Si e fitove pozitën e Ambasadorit? Ke e shantazhove për marrjën e asaj pozite? Pse e la postin e Ambasadorit, me të ardhura shumë më të mira, për pozitën e Kryetarit te Komunës? Pse nga qyteti ke rënë në fshat?
As unë e as Fatmiri, nuk kemi qenë asnjëherë pjesë e atij Fondi, kjo është një zbulim i ri i Ramizit pas 17/18 viteve. Gjithë kohën, para e gjatë luftës çlirimtare, kemi qenë në Kosovë. Në Shqipëri kam qenë vetëm pas kthimit nga Parisi. Për aktivitetin tim në Shqipëri, kush të dojë mund të informohet nga libri im: Kthesa e Madhe, botim i Shtëpisë Botuese Buzuku.
Kësaj që thoni për Fondin “Vendlindja Thërret” i thonë: “T’i them sa nuk me kanë thënë”. Por nuk është hera e parë që Hashimi e Kadriu i ndërsejnë njerëzit e pa integritet e dinjitet ndaj nesh! Nga njerëzit e tillë, Fatmir Limaj përndiqet që 13 vjet! Ku mbeti njerëzorja këtu?
I pyes Hashimin e Kadriun, pse e yshtni kundërshtarin tuaj goxha të madh te luftës e të pas luftës ndaj shokëve e bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë te luftës me te cilët e ndatë jetën e vdekjen dhe hëngrët shumë bukë në familjet tona! A frikësoheni se do t’u vret ajo bukë?! Nuk jeni vetëm Ju qe do t’u vret buka e popullit, gjaku i dëshmorëve dhe mundi i luftëtarëve! Popullin që i përvetësuat shumëçka në mënyrë të pa ligjshme po e leni me gishta në gojë! Drenicës në veçanti e kombit në përgjithësi ia keni qitur faqen e zezë! Drenicës i latë emër te keq! Emër që nuk e meriton. Drenasi është dëshmia më e mirë.
Kandidati nga PDK-ja do të duhej t’i dinte, raportet e vëllait të tij, Heroit te Popullit – Fehmi Lladrovcit me mua e Fatmirin jo vetëm gjatë luftës dhe raportet e Fehmiut me shefat e tij të sotëm?! Apo më të rëndësishme sot e ka që të jetë kandidat për Kryetar të Drenasit? Merresh me ne a në garë për kryetar je me Isa Xhemajlajn!
Sa për çështjet tjera rreth PDK-së, të thëna në emisionin “Rubikon”, nga ky person më 14 dhjetor 2016, mund t’i them: Te gjithë ju që kokorisni në atë parti te tjetërsuar skajshmërisht, jeni duke e grabitur gjithë aktivitetin tonë politike te investuar me shumë mund, dije e punë të pa kursyer. Për to nuk dua të flas. Pasi shumë kush e dine më shumë më mirë se unë!
Sa për ftesën që ma çuat nga Negroci, Kadri po te them:
Nuk e formuam NISMËN për te fituar ne, por për te fituar demokracia në Kosovë, Drenicë e Drenas, mbase edhe në Negroc, në fshatin tim të lindjes! Aty ku ju e kërkoni fitoren më me ngulm! Dhe ju te “urtët” e dini pse e bëni ketë! E bëni për të thënë nesër, në mediet e portalet tuja te shpifura e të blera: Jakupin nuk e donë as fshati i vet?! A kush do të duhej ta dinte më mirë se ju, ku i kishit dyert e hapura në vitet e vështira në fshatin Negroc dhe jo vetëm aty? Po të kishit fare pak njerëzi, nuk do t’mi çonit porosit nga aty. Pse heshtet deri tani? Kur ju kërkoja te “Ariu” (para zgjedhjeve te vitit 2010) që ta ruajmë partinë, që më vonë e more. Me patet thënë: “Kam vendosur që t’i shikoj interesat e mia, secili le t’i shikon interesat e veta”. Aty e kam ndërprerë bisedën. Nuk me kujtohet që kemi biseduar ballë për ballë më për ketë çështje ndonjëherë tjetër. Ndërsa, nëse keni mbetur për votat e Negrocit, banja si t’ja bëni, e merrni disi?! Nuk ka rëndësi sesi i merrni votat ju atje! Ketë gjithkush e dinë ne Republikën tonë! Mbase e dinë edhe Brukseli e Uashingtoni që shpesh thirreni e a thirreni për interesin e vendit, kjo është çështje tjetër!
Bashkëfshatarë te mi, sa i përket anës sime, jeni krejtësisht të lirë që të votoni për kandidatin që i besoni se e meriton votën tuaj! Zgjedhja duhet të jetë krejt e juaja. Por edhe ju “demokratët” e përbetuar, leni të lirë qytetarët e Drenasit që të votojnë sipas besimit te tyre të lirë, pa presion, pa joshje me vende pune që nuk janë askund e as me frikën për humbje të punës. Ju ata njerëz nuk i paguani me parat tuja. Buxheti është edhe i yni sa është edhe i juaj. Mos e shkelni dinjitetin e njerëzve deri në ketë derexhe! Boll ma!