Krasniqi: Ishim shqiptarë, prej 17 shkurtit 2008 u bëmë kosovarë

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë nuk mund të ndajnë asgjë mes vete.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë i ndajnë vetëm 87 vitet e robërisë së shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës Lindore.

Sipas tij, është interesant sesi rrjedh ndryshimi sipas ndonjërit, deri në mëngjesin e 17 shkurtit 2008 ishim shqiptar, atë ditë, pas dite, pa e ditur as vet u bëmë kosovar.

Më poshtë postimi i Krasniqit:

SHQIPTAR APO KOSOVAR?

Shqiptarët në Kosovë nuk kanë ndonjë teoricien që merret me teorinë e kombit në aspektin teorik e shkencor. Janë disa individë që kur flasim për kombin kosovar, nisen nga teoria titiste për kombin, duke marrë si shembull kombin maqedon, i cili në fakt ishte dhe është komb bullgar.

Partia Konuniste e Jugosllavisë (PKJ), për t’i shkëputur maqedonët nga trungu bullgar e për ta bërë Maqedoninë pjesë të Federatës Jugosllave, bullgarët e Maqedonisë i emërtuan mbi bazën e emrit të vendit – komb maqedon!Maqedonët, për ironi, viteve të fundit kanë bërë investime të mëdha në ndërtimin e përmendoreve të figurave të lavdishme të maqedonasve të vjetër, të cilët në fakt ishin ilirë, siç ishte Leka i Madh (Aleksandri i Maqedonisë).

Ndërsa, në fakt, maqedonet janë bullgarë që në Maqedoni e Bullgari kanë ardhur në shekullin IX të erës sonë. Ndonjëri nga opinionistet si shembull e merr gjermanët dhe austriakët, të cilët janë dy kombe me një gjuhë të përbashkët. Në rastin e Kosovës, as kjo teori e ky krahasim nuk shkon.

Pse nuk shkon?

Austriakët dhe gjermanet janë dy kombe që flasin një gjuhë, fakt i pamohueshëm ky, por gjermanët dhe austriakët kur janë formuar si kombe, kanë qenë të ndarë në perandori të ndryshme. Në shekullin XIX, kur është bashkuar Gjermania e sotme (federale), Austria ka qenë si Perandori Austro-Hungareze(1867-1918). Ky fakt nuk mund të krahasohet me kombin shqiptar, i cili si komb është formuar krejt ndryshe. Lëvizja politike gjithë shqiptare – Rilindja Kombëtare Shqiptare, kulmin e saj politik e kishte në pjesën e dytë të shekullit XIX.

Dhe jo vetëm kaq, por, qendra e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në kulmin e saj siç ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit,si qendër kishte Kosovën dhe shumë udhëheqës të asaj lëvizjeje e kryengritjeje shtetformuese ishin pikërisht nga Kosova, si Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Sef Kosharja, Mic Sokoli, Ramadan Zaskoci, Ali Pashë Gusia, Jakup Ferri, Haxhi Zeka etj. Pastaj, jo vetëm kaq, por edhe të gjitha kryengritjet shqiptare të fillimit të shekullit XX, sidomos ato të viteve 1910-1912 epiqendër kishin Kosovën dhe udhëheqëstë Kryengritjes së Përgjithshme ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi etj.

Pra shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë nuk mund të ndajnë asgjë. Nuk mund të ndajnë as gjuhën, as kulturën, as traditat e trashëguara ndër shekuj, as këngët e lindjes e të vdekjes, as të drejtën zakonore, as mitet e legjendat, as heronjtë e alfabetin. Shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë i ndajnë vetëm 87 vitet e robërisë së shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës Lindore.

Të gjithë shqiptarët e dinë, siç e dinë edhe gjithë Evropa dhe evropianët, se ishin Fuqitë e Mëdha të Evropës që në korrik të vitit 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e copëtuan kombin shqiptar dhe trojet e tij që banoheshin nga shqiptarët.

Gjithashtu, të gjithë e dimë se të gjitha organizimet politike nga Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, e formuar në vitin 1918, kanë luftuar për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve që Konferenca e përmendur i kishte lënë jashtë shtetit shqiptar – Shqipërisë Londineze. Edhe Marti Ahtisari, në njëintervistë për Televizionin publik RTK, pati deklaruar se kishte për qëllim edhe të bënte korrigjimin e një padrejtësie historike që u ishte bërë shqiptarëve.

Pse sot kemi dy shtete shqiptare, ky nuk ishte vullneti i shqiptarëve, ishin konjukturat e të fuqishmëve ato që vendosën që të mos kishte kthim para vitit 1999 dhe të mos kishte bashkim as me Serbinë e as me Shqipërinë. Prandaj tendencat e ndonjë poeti e matematikani për të formuar kombin shqiptar janë tendenca primitive që nuk kanë mundur t’i jetësojë as sundimi gati njëshekullor serbo-jugosllav.

Gjithashtu, tendenca për ta lidhur “kombin” e ri “kosovar” me një futbollist është një budallallëk më vete. Budallallëk që të çon te mjerimi i këshilltarëve të Qeverisë, e cila udhëhiqet, le ta themi hapur, nga komandantët që kanë luftuar për çlirimin e bashkimin e kombit shqiptar!

Ky fenomen është vështirë i kuptueshëm se çfarë metamorfoze po zhvillohet te disa ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Është më shumë se e habitshme sesi atë që nuk kanë mundur t’ia imponojnë armiqtë e egër popullit shqiptar, tentojnë t’ia imponojnë disa “intelektualë”mjeranë!

Nuk kam asnjë dyshim, ky mjerim vjen nga gjendja e mjerueshme në arsimin shqip tash e tridhjetë vjet! Dhe vërtet është interesant, kombi shqiptar kurrë nuk ka pasur më shumë universitete publike e kolegje private dhe kurrë nuk ka pasur më shumë njerëz të padijshëm sesa ka sot.

Ky debat është më shumë se sa i shpifur. Pse është i tillë me bindin argumentet foshnjore që sollën opinionistët e gjithëdijshëm, siç ishte argumenti për kombin e ri, me ekzistencën e një futbollisti tani të ndjerë nga Kosova qe një kohë ka luajtur futboll ne ekipet Jugosllave! Mbase, në demokraci secili e ka të drejtën të deklarohet se si ndjehet?! Unë jam shqiptar, kosovar dhe drenicas!

Është interesant sesi rrjedh ndryshimi sipas ndonjërit, deri në mëngjesin e 17 shkurtit 2008 ishim shqiptar, atë ditë, pas dite, pa e ditur as vet u bëmë kosovar?! Interesant! Metamorfoza e disave, vërtetë është për studim serioz!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme