Krasniqi: Kjo KQZ do t’i rrënojë zgjedhjet e lira dhe demokracinë

Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, nuk po i pëlqen përbërja e re e KQZ-së, pjesë e së cilës, Nisma nuk është.

“Kjo KQZ do t’i rrënojë zgjedhjet e lira dhe demokracinë”, thotë ai në një status të publikuar në Facebook.

“Me ketë konstituim të KQZ-së, në rend të parë, është shkelur rend neni 139 paragrafi katër i Kushtetutës për ndërtimin e një institucionit të pavarur i cili e ka përgjegjësinë për të mbikëqyrur mirëvajtjen e Zgjedhjeve të lira e demokratike. Ndërsa kështu siç është konstituua, nuk mund të konsiderohet si institucion për mirëvajtje, por institucion për tallavajtje”, shkruan Krasniqi, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se betimin para presidentit Hashim Thaçi, e kanë bërë Adnan Rrustemi e Nazlie Bala të Vetëvendosjes, Sami Hamiti e Florian Dushi të LDK-së, si dhe nga komunitetet, Alfred Kinolli, Qemajl Kurtishi, Erxhan Shpat dhe Stevan Veselinoviq.

Por, në dekretim, nuk qenë të pranishëm dy përfaqësuesit e koalicionit PAN. I nominuari nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, i ka thënë dje Kohavisionit se arsyeja e mospjesëmarrjes në dekretim ishte fakti se po presin që partnerët e tjerë të koalicionit të përcaktohen për përfaqësuesin e tyre.

“Kushtetuta e thotë qartë, KQZ-ja përbehet nga përfaqësuesit e Grupeve parlamentare të Kuvendit. Pasi vetëm kjo përbërje që e ka nënvizuar Kushtetuta, garanton zgjedhje të lira, të drejta e demokratike, gjë që nuk e garanton përbërja si po tentohet të konstituohet KQZ-ja”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Nisma Socialdemokrate, pak ditë më parë, përmes shefit të Grupit Parlamentar, është shprehur e pakënaqur që Nisma do të mbetet jashtë Komisionit Qendror Zgjedhor, dhe në të kundërtën, kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë çështjen në Kushtetuese.

Krasniqi, tutje në postimin e tij thotë se “Veç kësaj, kjo mënyrë e konstituimit është kapje e KQZ-së nga partizanet e zëshëm të kapjes e të shkapjes së institucioneve të shtetit. Për partizanet e shkapjës që brenda natës u bënë kapës të një institucioni të pavarur, kush mund të na garantoj që nesër nuk do të dakordohen këta partizanë të vegjël për kapjet e tjera, si p.sh edhe të krimit e të korrupsionit?!”.

“Praktika jetësore na tregon: Kushdo që ka vjedhur a ka grabitur pak, sa herë ju ka dhënë mundësia, kanë vjedhur e grabitur edhe shumë. Ata që e kapen KQZ-në, vështirë është për t’ju besuar se nëse vijnë në pushtet, nuk do t’i kapin edhe institucionet tjera dhe do të bëhen pronar të kapjeve të tjera. Përndryshe, pse të bëheshin kapës të KQZ-së se bashku me atë që e kanë akuzuar bash për çdo gjë? Të përfundoj: Kërkoj nga të gjithë ata që e udhëzuan, që e kërkuan dhe e realizuan ketë kapje të KQZ-së, e cila kapje do t’i dëmtoj rënd zgjedhjet e lira e demokratike dhe vet demokracinë, mos të na dërdëllisin më, për mungesë demokracie a mungesë vullneti për të luftuar krimin e korrupsion si dhe mos sundim të ligjit në Kosovë?! Ata duhet që ta dinë se këtyre shëmtive të përmendura dhe shumë të tjera të pa përmendura ua trasuan të gjitha rrugët ekzistuese, duke hapur edhe të reja! Me ketë logjikë veprimi, degradimi i demokracisë, por edhe i shtet-ndërtimit do të vazhdoj e thellohet! Qofsha i gabuar!”, ka përfunduar shkrimin e tij Jakup Krasniqi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme