Pal Trashaj, të cilit iu ishte marrë pasuria nga përmbaruesit që punojnë për kompanitë e mikrokredive, ka humbur jetën mëngjesin e sotëm (3 Korrik) një ditë pasi piu fostoksinë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm të pranishmit, pasi në momentin e ngjarjes kanë qenë të shumtë personat që janë përballur me skenën e dhimbshme, ndërkohë që qytetari kishte kërkuar të takohej me një hetues të BKHsë ose dikë nga Prokuroria.
Qytetari është pikasur shpejt nga të pranishmit në oborrin e SPAK, i është dhënë ndihma e parë dhe është thirrur ambulanca, duke e dërguar në repartin e reanimacionit të QSUT-së. Por 63-vjeçari nga Lezha nuk ia ka dalë dot të mbijetojë duke humbur jetën mëngjesin e sotëm (3 Korrik).
SPAK reagoi në lidhje me ngjarjen, e cila ndodhi pasditen e djeshme para ambienteve të godinës së Prokurorisë, ku 63-vjeçari, Pal Trashaj konsumoi fostoksinë. Sipas njoftimi të SPAK, Pal Trashaj, është paraqitur te oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH për një çështje, e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.
Prokuroria vijon duke sqaruar se ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. Vetëm pas disa orësh jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga 63-vjeçari. Sakaq, SPAK bën me dije se ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të institucionit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Në lidhje me incidentin e qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.
Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.
Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij. Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj.
GJARJA
Siç dihet tashmë nga mbarë opinioni publik skemat e mashtrimit financiar me mikrokreditë ka prekur një numër të madh qytetarësh në vendin tonë. Një nga këto viktimat është dhe Pal Trashaj, nga Lezha i cili në kushtet e depresionit piu fotoksinë para dyerve të SPAK. 63-vjeçari, i cili njihet si historian në qytetin e tij, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.
Dje ka mbërritur në ambientet e SPAK si e vetmja derë shpresë për të gjetur drejtësi. Ai nuk është lejuar për 2-3 orë të hynte në ambientet e brendshme dhe ka nisur të kërkojë me ngulm takim me drejtuesit dhe më pas ka pirë helimin që kishte në një letër të cilën e kishte në dorë në ato momente.
KREDIA 76 MIJË LEKË U KTHYE NË BORXH 4.8 MILIONË LEKË
Sipas të dhënave që vijnë nga Lezha bëhet me dije se Pal Trashaj kishte një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 76 mijë lekëve. Kredinë e Pal Trashajt e kishte blerë MCA, e cila kërkonte 4.8 milionë lekë, duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte. Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës.
Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme. Pal Trashaj është një nga viktimat e shumta të mikrokredive, por dosja e tij nuk është objekt i hetimeve të SPAK.
Ndërkohë në vitin 2015 Trashaj u gjobit dhe nga gjykata e Tiranës pasi kishte kërcënuar me mesazhe drejtorin e një banke të nivelit të dytë. Në muajin maj të këtij viti, me kërkesë të Prokurorisë,
Gjykata e Tiranës ka vendosur 9 masa sigurie, 5 “arrest në burg” dhe 4 “arrest në shtëpi” për administratorë të subjekteve financiare dhe përmbarues, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ pasi janë përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë. Si shembull për përmasat e skandalit me mikrokreditë prokuroria sjell rastin kur Micro Credit Albania, i ka sekuestruar një personi, 14 pasuri të paluajtshme për rreth 348 mijë lekë detyrim të prapambetur.
Sipas prokurorisë 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.3 milionë euro. Ata përdornin një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerjeje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.