Kredia për individët po vijon të rritet me ritme të shpejta, ndërsa bankat po ofrojnë kushte më të favorshme financimi. Por rritja e kredisë nuk është e njëjtë në të gjithë vendin. Pjesa më e madhe e financimit për familjet mbetet e përqendruar në Tiranë, veçanërisht kur bëhet fjalë për blerjen e banesave. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, kredia për individët u rrit me 17.1% krahasuar me një vit më parë. Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë kredia në lekë, e cila u zgjerua me 20.2%, ndërsa kredia në valutë u rrit vetëm me 5.5%. Kjo tregon se qytetarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt lekut, edhe për shkak të kushteve më të favorshme të financimit në monedhën vendase.
Por ku po shkojnë këto kredi? Tirana dominon ndjeshëm. Kryeqyteti përbën rreth 56.8% të kredisë konsumatore në vend. Pra, më shumë se gjysma e financimit që qytetarët marrin për konsum përqendrohet në Tiranë.
Diferenca është edhe më e madhe te kreditë për banesa. Rreth 75% e kredisë hipotekore është përqendruar në Tiranë. Në qarqet e tjera, pesha është shumë më e ulët, që tregon se tregu i financimit të banesave mbetet i lidhur fort me kryeqytetin.
Në totalin e portofolit të kredisë për individët, kredia konsumatore zë rreth 56.8%, ndërsa kredia hipotekore rreth 27.2%. Pra, pjesa më e madhe e huave të individëve lidhet ende me nevojat konsumatore, por edhe blerja e banesave mbetet një komponent i rëndësishëm. Edhe kostot e financimit kanë lëvizur në favor të lekut. Norma mesatare e kredisë hipotekore në lekë është rreth 3.9%, ndërsa për kredinë konsumatore rreth 8.5%.
Paralelisht, bankat kanë lehtësuar kushtet e kreditimit për individët. Konkurrenca mes bankave dhe kërkesa më e lartë për kredi kanë ndikuar në rritjen e tolerancës ndaj rrezikut dhe në lehtësimin e standardeve të financimit. Kështu, kredia për familjet po zgjerohet, por shifrat tregojnë qartë se Tirana vazhdon të jetë qendra kryesore e këtij financimi, veçanërisht për kreditë hipotekore. Ndërsa qytetarët po marrin më shumë kredi në lekë, mbetet për t’u parë nëse kjo rritje do të shtrihet me të njëjtin ritëm edhe në qarqet e tjera të vendit.
The post Kreditë hipotekore “dynden” në Tiranë, BSH: Huaja për individët në lekë rritet me 20.2% appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



