Krejt çka tha Jakup Krasnqi mbrëmë, prej Gjykatës Speciale e deri te ‘Gylenistët’

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dhe Ish-Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin “Pressing” në televizionin T7 ku ka folur për situatën politikë në vend, ftesën nga Gjykata Speciale, dorëheqjen e Ramush Haradinajt, idenë e Hashim Thaçit për korrigjimin e kufijve dhe kallëzimin penal ndaj 22 policëve për rastin e njohur të ‘ Gylenistëve’.

Krasniqi ka folur për paraqitjen e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, javë më parë.

Ai ka treguar për herë të parë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se ftesën nga ky institucion i drejtësisë e ka pasur “si i akuzuar”.

“Nuk kam asnjë arsye të mos e them çka më kanë thënë. Prokuroria atje më ka thënë se jam i akuzuar”, ka treguar Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Iu kam thënë se dua ta shfrytëzoj të drejtën time për t’u mbrojtur në heshtje”, ka kujtuar ish-zëdhënësi i UÇK’së.

“Kanë bërë prapë pyetje, përsëri iu kam thënë se e shfrytëzoj të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, ka treguar Krasniqi në T7.

Krasniqi në “Pressing” ka deklaruar se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është ngutur kur ka dhënë dorëheqje nga detyra e kreut të qeverisë.

“Unë mendoj që është një ngutje e kryeministrit Haradinaj, tani në detyrë” tha Krasniqi, duke shtuar se “duhet të bëhet një dallim mes qeverisë së shkarkuar me mocion dhe një qeverie në dorëheqje”.

Jakup Krasniqi ka komentuar edhe idenë e Hashim Thaçit për korrigjimin e kufijve me Serbinë, duke shtuar se ka dyshimet e veta se Thaçi mund të jetë i shantazhuar dhe është munduar t’i ikë Gjykatës Speciale.

Ai tha se Thaçi i filloi bisedimet politike duke “argumentuar se e ka mbështetjen e Uashingtonit e Brukselit” duke shtuar se sikur Kosova të kërkonte të zhvillonte bisedime për t’u kthyer nën Serbi, SHBA’ja e BE’ja nuk do të kundërshtonin.

I pyetur se pse Hashim Thaçi i filloi këto bisedime, ai shtoi se frika më e madhe është Gjykata Speciale.

“Unë mendoj që një rol negativ e ka edhe Gjykata Speciale. E konsideroj që përpjekja që dikush t’i ikë Gjykatës Speciale duke bërë manovrime të ndryshme, mendoj që e ka dëmtuar procesin politik. Kështu e shoh, ndoshta nuk kam të drejtë, por kam të drejtë ta them” tha ai, duke shtuar se personat e implikuar nga Gjykata Speciale nuk duhet të jenë pjesë e bisedimeve.

Krasniqi tutje ka folur edhe për kallëzimin penal ndaj 22 policëve në rastin e gylenistëve.

“Kallëzimi penal ndaj 22 policëve për rastin e gylenistëve mendoj se është skandali më i madh në drejtësinë e Kosovës”, ka thënë Kransiqi në Pressing të T7.

Gjithashtu Krasniqi tha se përgjegjësia bije mbi urdhërdhënësit dhe jo policët.

“Policëve dikush u ka dhënë urdhër, andaj përgjegjësia bije mbi urdhërdhënësit. Dhe jo mbi ata që kanë ndjekur urdhëratë”, ka thënë Krasniqi në Pressing.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme