Kreu i SPAK, Altin Dumani ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë ku pritet të raportojë veprimtarinë vjetore të Prokurorisë së Posaçme.
Në raportin vjetor kreu i SPAK pritet të flasë për luftën e SPAK ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Pastrimi i parave vijon të mbetet një ndër krimet më të përhapura tek grupet kriminale shqiptare. Vihet re se, ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare, të cilat shërbejnë për të marrë dhe transferuar paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive kriminale, duke i shpërndarë ato nëpërmjet investimeve dhe transaksioneve tregtare të rregullta.
Investimet në prona të luajtshme (mjete motorike, veshje luksi, ora të markave të shtrenjta, bizhuteri, pajisje kompjuterike etj.) dhe pasuri të paluajtshme mbeten ende ndër format më të preferuara të pastrimit të parave, kryesisht në apartamente, ndërtesa, truall, pemishte, njësi shërbimi etj. qoftë në qytetin e Tiranës, por dhe në zonat turistike bregdetare (Vlorë, Durrës dhe Lezhë). Vihet re dhe një numër i konsiderueshëm i depozitimit të parave, të cilat dyshohen se janë produkte të veprave penale në llogari të ndryshme bankare, që kryesisht janë në emra shoqërish tregtare ose personave fizik, të afërm të të dyshuarve”, thuhet në raportin e SPAK.