Krimet ekonomike nisin hetimet në Bibliotekën Kombëtare, për programin “ALEPH-500”

Njësia e Hetuesisë e Krimeve Ekonomike, pas raportit të vitit 2015 të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në të cilin ishin përmendur disa shkelje ligjore që kishte bërë Këshilli Drejtues i kësaj biblioteke, ka nisur ta hetojë blerjen e programit bibliotekar “ALEPH-500”, i cili buxhetit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK-ja) edhe me rastin e blerjes, edhe tash që mirëmbahet nga menaxherët e kompanisë “Ex Libris” nga Izraeli, është duke i kushtuar mijëra euro.

Sipas burimeve të lajm.net brenda Ministrisë së Kulturës, javë më parë për këtë çështje janë intervistuar ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashota, zyrtari i prokurimit i kësaj biblioteke, Tefik Mehmeti, drejtori i tashëm i bibliotekës, Fazli Gajraku dhe tre zyrtarët e teknologjisë së informacionit po të kësaj biblioteke (R. Zeka, L. Zeka, G. Haxhiu), të cilët, disa po hetohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, disa të tjerë po merren në pyetje për shfrytëzimin dhe mosshfrytëzimin e këtij programi elektronik.

Njësia e Auditimit të Brendshëm e MKRS-së në raportin e vitit 2015 pati cekur se BKK-ja paguan për mirëmbajtje të programit mbi 17 mijë euro në vit, duke e rritur këtë shifër nga 3 për qind për çdo vit, kurse i njëjti program, në raportin e auditimit, përmendet se nuk shfrytëzohet as 50 për qind.

Ndërsa lidhur me këtë rast lajmi.net ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Bibliotekën Kombëtare, por edhe pse pyetjet janë dërguar dy javë më parë nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Jo zyrtarisht në Policinë e Kosovës është thënë se hetuesi i rastit nuk dëshiron të deklarohet për këtë, për shkak se rasti ende është nën hetime, ndërsa që përgjigje zyrtare nuk ka pas.

Edhe në Bibliotekën Kombëtare nuk kanë kthyer asgjë. Lajmi.net ka kontaktua sekretarin e saj, Izet Avdyli, i cili ka sugjeruar që për këtë t’i drejtohemi zyrës për informim.

Përmes telefonit nga kjo zyrë, të premten e kaluar është thënë se zyrtarët e bibliotekës në atë ditë janë në një aktivitet, por që do të përcillet pyetjet. Mirëpo, edhe dy javë pas kjo zyre nuk ka kthyer asgjë, e as nuk janë lajmëruar në thirrjet telefonike.

Po ashtu lajmi.net ka folur edhe me ish-drejtorin e bibliotekës, Sali Bashota i cili ka thënë se nuk është i autorizuar të jap informacione për media, duke sugjeruar që për këtë të kontaktohet në bibliotekë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme