Të dënuarit për krimet më të rënda kundër njerëzimit, të verifikuar edhe me aktgjykime si kriminelë lufte, zbatues të veprave të përgjakshme të elitave politike që kanë sunduar dhe udhëhequr luftërat gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të shkuar në hapësirën e ish –Jugosllavisë, në Serbi, trajtohen kryesisht si heronj.
Pas vuajtjes së dënimit në Hagë për krimet e luftës që u dëshmuan, në Serbi janë të paktën katër pjesëtarë të hordhisë kriminale të luftës të regjimit të Slobodan Milosheviqit, transmeton Koha.net shkrimin e gazetës “danas”.
Dy janë funksionarë të lartë të partive qeveritare – Nikola Shainoviq e vazhdoi karrierën e vet politike në partinë Socialiste të Serbisë menjëherë pas kthimit nga Haga, e Veselin Shlivançanin e gjeti vendin e vet në Partinë Përparimtare serbe kryetar si së cilës është presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Aty është, kuptohet, edhe Vojislav Shesheli, i cili gjithnjë e ka të njëjtën retorikë, për fat tani pa pasoja tragjike si në vitet e 90-ta.
Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për veprat më të rënda kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, pas lirimit nga burgu, u paraqit si shkrimtar dhe propagandues i vlerave të luftës në emër të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, në krye të së cilës është edhe një luftënxitës tjetër – Aleksandar Vulin.
Vojin Lazareviq, po ashtu koleg në krime me të përmendurit më lartë, pas kthimit nga Haga, është aktiv në qarqet intelektuale dhe ka nderin të ligjërojë në Akademinë Ushtarake të Serbisë.
Trashëgimtarët dhe bijtë politikë të Slobodan Milosheviqit e të Vojislav Sheshelit janë figurat kryesore politike në shtet. Ata asnjëherë nuk u përcaktuan në kontekstin e përgjegjësisë së vet për retorikën luftënxitëse,ndërsa në karrierën politike pas revolucionit të 5 tetorit, (kur u rrëzua Slobodan Millosheviqi ) vazhduan të përfaqësojnë po ato ide nacionaliste urrejtëse dhe që në masën më të madhe i bëjnë edhe sot e gjithë ditën. Duke mos pranuar gjenocidin, spastrimet etnike dhe duke udhëhequr politikën shtetërore të konflikteve me popujt me të cilët kishin luftuar deri më dje, transmeton Koha.net.
Për këtë arsye sot është normale që pothuaj askënd s’e shqetëson dhe s’e habit pse tash në kryesi të Partisë Socialiste të Serbisë qëndron Nikola Shainoviq, ish nënkryetar i Qeverisë federale të Republikës së Jugosllavisë, i dënuar me 18 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për deportim dhe për vepra të tjera jo humanitare, vrasje dhe ndjekje në baza politike, raciste e fetare, me qëllim qe me dhunë t’i shpërngulë shqiptarët e Kosovës dhe ta ndryshojë përbërjen etnik të Kosovës e ku sërish do të vendosej kontroll i Serbisë.
Të gjitha këto përcaktime të Shainoviqit në angazhimin e tij politik nga vitet e 90-ta, nuk janë kurrfarë pengese për SPS –in në pushtet dhe liderin e saj Ivica Daçiq që t’ia japë këtë funksion të lartë dhe të mos merret me të pabërat e tij.
Krimineli që organizoi keqtrajtimin dhe largimin e 400 të plagosurve nga spitali i Vukovarit dhe vrasjen e 264 peronave me Ovçarei, pengoi evakuimin e 4000 civilëve pas rënies së Vukovarit duke i ndarë nga kolona, tani është funksionar i Partisë Përparimtare të Serbisë, i cili nuk ngurron të flasë nëpër tribuna , t’i shesë moral publikut e të tregojë për trimërinë ushtarake dhe vlerat tjera për fëmijët serbë. Por, ata fëmijë që formuan Iniciativën e të rinjve për të drejtat e njeriut në Serbi, kur u përpoqën ta pengonin një paraqitje të Shlivançaninit të organizuar nga partia që e udhëheq presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq duke shpalosur transparentin “Kriminelët e luftës të heshtin, të flitet për viktimat”, u dënuan me të holla nga regjimi aktual“.
Ata u gjobiten për gjoja shkelje të rendit e të qetësisë publike, sepse gjykata kishte vlerësuar se mesazhet që krimineli i luftës kishte për t’ia dërguar opinionit, nuk mund të rëndonin rendin dhe qetësinë publike.
Vojislav Shesheli, dikur kryetar edhe i Vuçiqit të njohur me deklaratat kundër myslimanëve (“Për një serb të vrarë, do të vrasim 100 myslimanë”) të cilin Gjykata e Hagës e ka dënuar me 10 vjet burgim sepse u dëshmua të jetë përgjegjës e për ndjekje e deportim të popullatës joserbe, edhe tani ka privilegjin e përhapjes së urrejtjes përmes foltores së Kuvendit, të djegë flamuj të ish shteteve të ish – Jugosllavisë dhe të përsërisë se sërish, po të kishte rastin, do të vepronte sikur në vitet e 90 –ta.
Edhe në Republika Srpska entitet në Bosnjë e Hercegovinë, kanë përparësi kriminelët e luftës që kanë marrë pjesë në përpjekjet për krijimin e Serbisë së madhe dhe në krimet kundër myslimanëve.
Bëhet fjalë për Bilana Plavshiqin e Momçillo Krajishnikun të cilët gëzojnë të gjitha favoret e respektin si dhe statusi n e të privilegjuarit meqë ishin përpjekur që “të gjithë serbët të jetonin në një shtet”.