Kriteret që duhet të plotësojnë kosovarët për punësim në Gjermani

Pamundësia për të siguruar një vend pune në shtetin e tyre, detyroi mijëra kosovarë që të kërkojnë punë në shtetet perëndimore.

Pas marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe shtetit gjerman shumë kosovarë kanë përfituar.

Në bazë të përgjigjeve të siguruara nga zyra për informim e MPMS-së, bëhet e ditur se që nga janari e deri në nëntor të vitit të kaluar kjo Ministri u ka aprovuar lejen e punës 12 mijë e 370 kosovarëve.

Musa Demiri zyrtar për informim në këtë Ministri, ka treguar se shërbime kanë marrë gjithsej 1 mijë e 300 persona, derisa 12 mijë e 370 leje pune janë aprovuar për shtetasit e Kosovës.

Mirëpo, Demiri ka sqaruar se me këtë shifër nuk nënkuptohet se qytetarët do të kenë automatikisht vizë pune në shtetin gjerman.

“Në fushën e migrimit legal nga MPMS-ja shërbime kanë marrë mbi 1 mijë e 300 persona, kurse Shërbimi i punësimit gjerman, në periudhën janar-nëntor 2016, ka aprovuar 12 mijë e 370 leje pune për shtetasit e Republikës së Kosovës. Kjo nuk do të thotë se këta persona automatikisht do të kenë vizë pune në Gjermani”, ka thënë për Indeksonline, Musa Demiri nga kjo Ministri.

Derisa me një raport që ka siguruar Indeksonline thuhet se që prej 1 janarit 2016, deri me 31 dhjetor të vitit 2020 qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të marrin leje qëndrimi në Gjermani për të gjitha profesionet e punës, e shkollimet profesionale.

Madje një ofertë të tillë mund ta gëzojnë edhe atëherë kur qytetarët nuk kanë shkollime profesionale, apo kur kualifikimet e tyre nuk u njihen në shtetin e Gjermanisë.

Për tu qasur në tregun gjerman kosovarët paraprakisht duhet të plotësojnë disa kritere. Kështu bëhet e ditur në raportin që Indeksonline ka siguruar.

Në të thuhet se qytetarët duhet të kenë një ofertë për një vend të garantuar pune nga ana e një punëdhënësi në shtetin e Gjermanisë si dhe duhet të përmbushin kushtet tjera ligjore për lëshimin e vizës.

Derisa bëhet e ditur se deri në nëntor të vitit 2015 gjithsej janë radhitur mbi 130 profesione pune, si në sektorin e shëndetësisë si dhe profesionet si mekatronik, elektricist, e ndërtimtari.

“Gjendja: Nëntor 2015 janë radhitur mbi 130 profesione pune gjithsej, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë- dhe të kujdesit mjekësor, në profesione si mekatronik- dhe elektriҫist, ndërtimtari – dhe profesione të tjera teknike, si edhe profesione nga sektori i komunikacionit rrugor dhe i logjistikës”, thuhet në raportin që Indeksonline ka siguruar nga Ministria e Punës.

Kosovarëve të cilëve iu është dhënë leje pune dhe qëndrimi në Gjermani, gëzojnë edhe të drejta të tjera, për të sjell kështu familjarët e tyre.

Mirëpo tërë kjo nëse familjarët janë të gjendje të sigurojnë kostot e jetesës për familje, pa pasur nevojë të shfrytëzojnë përkrahjen e shtetit.

Poashtu, kjo rregullore i mundëson sipas ligjit bashkëshortëve të kenë të drejtë punë në shtetin Gjerman.

“Pas hyrjes në Gjermani, pjesëtarët e familjes Suaj janë të detyruar të paraqiten dhe regjistrohen pranë organit për regjistrimin civil dhe njëherazi të parashtrojnë edhe një kërkesë pranë organit përkatës për nënshtetasit e huaj për lëshimin e lejes së qëndrimit”, shpjegohet më tej.

Ndërkohë në bazë të raportimeve në medie, që nga janari deri në nëntor të 2016-tës, numri i qytetarëve që kanë kërkuar punë në Kosovë është 19 mijë e 142.

Në anën tjetër kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka dhënë shifra ndryshe për vizat e lëshuara për kosovarët gjatë vitit të kaluar.

Sipas Shahinit vitin e kaluar janë lëshuar mbi 8 mijë viza pune. Por këto kërkesa të kosovarëve jashtë vendit kryetari i ARBK-së, i ka quajtur varfëri të vendit, duke pas parasysh faktin se në mesin e këtyre qytetarëve ka edhe punëtorë të kualifikuar.

“Vitin e kaluar sipas statistikave të AKB-së janë lëshuar mbi 8 mijë viza pune në Gjermani. Shumica prej tyre janë familjar që kanë gjetur punë në kompanitë ku operojnë njerz të diasporës, qoftë ato kompani individuale”, ka thënë Shahini.

Sipas tij pamundësia për t’iu gjetur një vend pune kosovarëve ka bërë që qytetarët të migrojnë në vendet përendimore.

Ndërsa tërë këtë Shahini e ka krahasuar me gjendjen e njejtë kur kosovarët iknin nga lufta. Në përgjigjet e tij mësohet se janë mbi 35 mijë kërkesa të kosovarëve që janë duke u trajtuar në ambasada të shteteve të ndryshme.

“ Kosovës ju kanë hjek nga tregu kërkesat për punë. Mirëpo kjo është varfëri pasi në mesin e këtyre kërkesave ka edhe puntorë të kualifikuar. Përderisa ne nuk po iu krijojmë vende ata duhet përshkak të ekzistencës të migrojnë. Është trendi i njejtë sikur iknin nga frika. Bazuar në statistikat që kemi deri më tani janë mbi 35 mijë kërkesa të kosovarëve që janë duke u trajtuar në ambasada të ndryshme”, ka deklaruar kryetari i AKB-së.