Autor: Xhevdet Pozhari
Debati për 6 gylenistët e dëbuar vazhdon në Kosovë. Përfundimisht, me deportimin e 6 shtetasve turq e kuptuam se jeta e tyre për disa opinionistë e media që ngritën pluhur, ishte shumë më me vlerë sesa jeta e dhjetëra shqiptarëve të Maqedonisë që iu dorëzuan, në të kaluarën, regjimit të Gruevskit.
Sigurisht, të njëjtit, kanë menduar se shqiptarët e Maqedonisë – kryesisht ish luftëtarë të UÇK’së, i kanë dërguar në ekskursione…, e jo në duart e ish ministres monstruoze, Gordana Jankullovska.
Mund të ketë shpjegime të ndryshme se pse dhe si është e mundur një gjë e tillë, por një gjë është e qartë, – vështirë se është në pyetje një dhembje dhe dashuri kaq e madhe, në emër të të drejtave themelore të njeriut!
E, kur jemi tek respektimi i të drejtave themelore të njeriut, mbrojtësit e flaktë të tyre heshtën në shumë raste kur ato iu shkelën katërcipërisht shqiptarëve të Maqedonisë.
Rasti i Shukri Aliut
Shukri Aliu, imam dhe luftëtar i tre luftrave, ishte arrestuar dhe deportuar nga Kosova në Maqedoni me kërkesë të autoriteteve maqedonase. Dyshohej se ai qëndronte pas protestave dhe trazirave në rrugët e Shkupit pas zhvillimit të aksionit policor “Monstra” dhe si udhëheqës dhe mentor i të dyshuarve të cilët kanë ekzekutuar pesë personat në Smillkovë.
Pasi u mbajt në burg tre vjet, ai u lirua si i pafajshëm. Ai ishte me nënshtetësi kosovare dhe si i tillë nuk do të duhej të ekstradohej, por ja që ekstradimi ndodhi.
Askush nuk reagoi për këtë padrejtësi ndaj tij. Aliu nuk është i vetmi. Lista është e gjatë… “Mëkati” i tij dhe i të tjerve ishte se nuk posedonte “milionat e Gylenistëve”!
Video nga arrestimi i Shukri Aliut
Rasti i Almir Drlanjin
Në vitin 2015 Policia e Kosovës i dorëzon autoriteteve maqedonase ish-ushtarin e UÇK-së, Almir Drlanjin, i cili u dënua me burg të përjetshëm nga Gjykata maqedonase. Askush nuk reagoi as në këtë rast. Almir Drlanjin me 26 janar 2015 pas dite i ishte dorëzohet autoriteteve maqedonase nga autoritet Kosovare, pas arrestimit të tij në Ferizaj në 2012.
Alimir Drlnjin nga gjykata maqedonase ishte i dyshuar për krime të rënda dhe se policia maqedonase e cilëson si një nga kriminelët më të rrezikshëm e vendit.
Ndryshe më 26 nëntor të vitit 2008, tre shqiptarët nga Shkupi dhe Kumanova, ish-pjesëtarë të UÇK-së ishin të dënuarit me burgim të përjetshëm të cilët u akuzuan për vrasjen e një pjesëtari të njësitit policor “Alfa” në Shkup
Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë i Kumanovës, Agim Islami (27) nga fshati Rashçe të Shkupit, dhe Almir Drlanjin (31) nga Shkupi më 30 prill 2010 u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri, i akuzuari i katërt për dhënien e ndihmës është akuzuar me gjashtë vite burg.
Foto: Alimir Drlnjin
Rasti i Sylejman Osmanit – Komandant Sulës
Përjashtim në rastin e ekstradimeve të bashkëkombësve shqiptarë nga Kosova në Maqedoni, do të përbënte rasti i Sulejman Osmanit, i cili akuzohej si pjesëtar i “Grupit të Kumanovës”. Shkak për mos ekstradimin e tij u paraqit revolja pa leje e cila thuhej se u gjet gjatë arrestimit nga ana e policisë kosovare. Ai do të duhej gjykohej nga drejtësia kosovare. Por, në qershor të vitit 2016 Sulejman Osmani ose i quajtur si Komandant Sula, u ekstradua nga Kosova në Shkup.
55 vjeçari ishte arrestuar në Kosovë në korrik 2015, pas një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia si i përfshirë në Grupin e Kumanovës, ku mbetën të vrarë tetë policë.
Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë maqedonase. Askush nuk reagoi lidhur me këtë rast. Mbrojtësit e lirisë dhe të drejtave të njeriut zgjodhën të heshtin.
Ali Ahmeti kishte hedh dyshime për të arratisurin Sulejman Osmanin i cili iku nga duart e policisë maqedonase një ditë pasi së bashku me një grup personash të armatosur në Kumanovë ishin dorëzuar organeve të policisë.
Ai kishte deklaruar se nuk e njeh Sulejman Osmanin por ka dëgjuar se ai ka qenë i arrestuar në vitin 2001 nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Rasti i Osmanit është i ngjashëm me atë të Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit, të cilët u dënuan me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”.
Procesi i montuar gjyqsor i njohur si “Monstra, rasti i Afrim Ismailovic dhe Ali Demirit
Kosova do të refuzonte t’i ekstradojë në Maqedoni. Afrim Ismailovic dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa kishin banuar me qira në banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes nga Maqedonia, në vitin 2012. Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët tashmë në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, kishte ardhur pasi Trupi gjykues i Gjykatës në Prishtinë kishte konstatuar se argumentet e Prokurorisë për krime të rënda në Maqedoni nuk qëndrojnë. Regjimi i Gruevskit i kërkonte me ngulm. Në dhjetor të vitit 2017, një ndër rastet më të rënda gjyqësore në Maqedoni i njohur si rasti “Monstra” morri një kthesë të re, menjëherë pas ndërrimit të kreut të ekzekutivit në Maqedoni. Gjykata Supreme e Maqedonisë vendosi që t’i lirojë nga burgu të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve, në prill të vitit 2012, pranë një liqeni artificial në Smillkovcë.
Cvetanco Acevski, Kire Trickovski, Alexander Nakjevski, Filip Slavkovski dhe Borce Stevkovski janë vrarë pranë liqenit Smilkovsko, me rreth 21 të shtëna automatiku dhe pistolete. Policia arrestoi më shumë se 20 të dyshuar në operacionin e koduar “Monstra”. Shtatë persona u akuzuan për vrasjet në liqenin Smilkovsko: Fejzi Aziri, Alil Demiri, Sami Ljuta, Rami Sejdi, Afrim Ismailovic dhe Agim Ismailovic.
Të pandehurit gjatë rastit të montuar gjyqësoor – Monstra
Rasti i Harun Aliut – Adem Jasharit të Maqedonisë
Në vitin 2001, Maqedonia përjetoi një konflikt të shkurtër të armatosur ndërmjet kryengritësve të etnitetit shqiptar dhe forcave të sigurisë. Konflikti përfundoi në të njëjtin vit me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes e cila do të duhej të shërbente për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Që nga ajo kohë, shqiptarët e Maqedonisë përfaqësohen nga partia e Ali Ahmetit, i cili ishte pjesë e kryengritësve të armatosur. Megjithatë, shumë bashkëluftëtarë të tij do të vriteshin pas 2001 – shit, në rrethana tejet të dyshimta. E, shumë të tjerë do të presekutoheshin me fletëarreste që i implikonin kryesisht në aktivitete terroriste.
Rasti i Harun Aliut ishte më i dhembshmi.
Harun Aliu lindi më 20 maj të vitit 1971 në Hasanbeg të Shkupit, ku kaloi fëmijërinë e tij dhe kreu shkollën fillore. Në vitet e tetëdhjeta pushteti Jugosllav e hoqi përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e mesme dhe krijoi paralelet e përziera ku mësomi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Aliu refuzoi të ndjekë mësimin në gjuhën maqedonase dhe udhëtoi drejt Damaskut të Sirisë për të kryer shkollën e mesme. Më pas kthehet në vendlindje ku do të regjistrohej në gjeneratën e parë të Universitetit të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, dega e Historisë. Emri i Harun Aliut do të gjendet në thuajse të gjitha aktivitetet kombëtare në Kosovë e Maqedoni, që nga lëvizjet studentore duke u rreshtuar gjithmonë në ballë të tyre. Kushtrimi nuk do të mungonte as në aradhat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në vitet e 90-ta nën drejtimin e komandantit Adem Jashari.
Përveç aktiviteteve ushtarake, logjistikës dhe furnizimit me armatim nga Shqipëria në Kosovë, Harun Aliu në të njëjtën kohë filloi edhe me organizimin e celulave të para të UÇK-së në Maqedoni. Nga viti 1995 e më pas ai filloi edhe me aktivitete konkrete në Maqedoni, që më pas u zbulua se kishte qenë pjese e grupeve që në Kërçovë e qytete të tjera të banuara me shqiptarë kishin kryer sulmet e para me bomba. Pas zbulimit të bashkëveprimtarëve të tij, Harun Ali arratiset në Shqipëri ku fillon rekrutimin e aradhave të para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të filluar kryengritje në Maqedoni. Si një nga themeluesit, Kushtrimi do të emërohej edhe në mesin e anëtarëve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, por pjesën më të madhe në konfliktin e vitit 2001 e kaloi në front, që nga betejat e para në Tanushë, Kalanë e Tetovës dhe zonat e luftës në karadakun e Shkupit dhe Kumanovës.
I pakënaqur nga Marrëveshja e Ohrit dhe veçanërisht implementimi i saj ai së bashku me disa shokë të tij që nuk pajtoheshin me aktivitetin dhe të arritur e partisë së dalë nga lufta e vitit 2001, BDI, në vitin 2006 themeloi partinë politike Alternativa Kombëtare.
Ky ishte edhe momenti kur nisën planet për likuidimin e tij, fillimisht politik, e më pas edhe fizik! Të paktën, kjo nënkuptohet nga intervistat e tij të fundit para se të vritej.
Në një intervistë tjetër, Harun Aliu kishte bërë publik edhe planin për eliminimin e tij nga “Klani i Kërçovës” si dhe obstruksionet dhe mashtrimet që i ishin bërë nga Bashkimi Demokratik për Integrim në kohën kur ai me subjektin e tij të ri politik, Alternativa Kombëtare, ishte përpjekur që në castet e fundit ta shpëtonte kauzën kombëtare nga rruga e devijuar e BDI – së.
Komandant Kushtrimi në këtë intervistë kishte shpjeguar edhe pse nuk është inkuadruar në politikë kur e kishte filluar aktivitetin politik Bashkimi Demokratik për integrim. Ai shprehej se fillimisht ka pasur besim në sinqeritetin e Ali Ahmetit, mirëpo kjo bindje i ishte rrënuar sapo me lëshimet e tij kishte filluar të shkel mbi vlerat e luftës, ndërsa rreth tij kishte filluar të mbante individë të kompremintuar, të dyshimtë, spiunë, njerëz që familjarët të tyre i kishin bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete sllave.
Mirëpo, sapo Harun Aliu përgatitej që të inkuadrohej edhe politikisht në Maqedoni me qëllim të konsolidimit të një subjekti të ri politik që bërthamën do ta kishte në vlerat kombëtare, ndaj tij u inskenua një rast në Prishtinë për keqpërdorim fondesh të UÇK-së me c’rast u arrestua nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë dhe u dënua me 4 vite burg.
Për këtë inskenim Harun Aliu në intervistën e tij do ta drejtonte gishtin drejt një klani që kishte mbajtur uniformën e UÇK-së dhe do ta quante “Klani i Kërçovës”.
Kjo nuk do të ishte tradhtia e fundit që do t’i bëhej atij. Menjëherë pas daljes nga burgu, atij i ishin ofruar që të kyçej në partinë e Ali Ahmetit, mirëpo siç do të shprehej edhe vetë ai, shkaku se gjithçka kishte devijuar brenda këtij subjekti, duke filluar nga mënyra e të bërit politikë e deri tek forma e emërimit të kuadrove në poste të larta drejtuese, ai kishte vendosur që në zgjedhjet e vitit 2006 të dilte si parti e vetme e re në zgjedhje. Sapo kjo parti kishte fituar një përkrahje të konsiderueshme, me afrimin e zgjedhjeve të parakohshme asokohe, BDI – ja ishte hedhur në aksion për t’u bashkuar dhe bashkëvepruar me Harun Aliun.
“Pati iniciativa nga jashtë nga bashkëveprimtarët tanë për t`u bashkuar dhe bashkëvepruar sërish me BDI-në. Por në fund pas tentimeve tona për të qenë më konstruktiv dhe të sinqertë në këtë bashkëpunim, më në fund morëm një thikë pas shpine nga BDI dhe kreu i saj Ali Ahmeti. Zvarritja e këtij koalicioni kishte për qëllim që të paralizojë Alternativën Kombëtare, sepse më në fund nuk patëm kohë që të përgatitemi për zgjedhje”, shprehej Harun Aliu në një prej intervistave të tij të fundit.
Më 3 janar të vitit 2008 persona të panjohur në Shkup sulmuan një automjet të policisë ku mbeti i vrarë polici Zoran Markovski dhe disa të tjerë u plagosën. Për këtë incident policia e Maqedonisë akuzoi Harun Aliun si pjesë e grupit që kishte kryer sulmin dhe më 4 shkurt të vitit 2010 u dënua me burgim të përjetshëm. Që nga ky rasti Harun Aliu arratiset dhe ishte i pakapshëm për autoritetet.
Nuk kaloi shumë kohë, saktësisht me 12 maj të vitit 2010, policia e Maqedonisë njoftoi se në orët e mëngjesit në rrugën kryesore në hyrje të fshatit Radushë ka neutralizuar një grup të armatosur prej katër personave të cilët kanë udhëtuar me një furgon të bardhë përplot me armatim. Pyetjet e para që u ngritën në opinion, madje edhe nga vetë opinionistët maqedonas, ishin se si ishte e mundur që një furgon të bëhej shoshë nga plumbat e mos të eksplodojë derisa thuhej zyrtarisht nga policia se ishte i mbushur përplot me eksplozive! Më vonë u kumtua se të vrarët nga ana e policisë ishin Xhafer Shala 31 vjeçar nga Prishtina, Qemal Fejzullahun 47 vjeçar nga fshati Gërçec i Shkupit, Shaban Zenuni 36 vjeçar nga fshati Merovë i Tetovës dhe Harun Aliu, 39 vjeçar nga Shkupi.
Ish ministrja Gordana Jankullovska e buzëqeshur nga vendi i ngjarjes
As edhe kësaj radhe, opinioni publik në Kosovë nuk reagoi. Ata iu bashkuan heshtjes mortore të autoriteteve kosovare.
Harun Aliu, u vra më 12 maj të vitit 2010 në fshatin Radushë nga forcat policore maqedonase së bashku me bashkëluftarët e tij Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala. Më 4 shkurt të vitit 2010 u dënua me burgim të përjetshëm nën akuzën se së bashku me tre persona tjerë ka ekzekutuar pjesëtarin e “Tigrave”, Zoran Markovski në lagjen e Autokomandë të Shkupit. Rrethanat e vrasjes së komandant Kushtrimit edhe sot mbeten të paqarta shkaku i informative të rezervuara të policisë së Maqedonisë. Vrasja e Harun Aliut u interpretua si atentat politik me qëllim të shkatërrimit të idesë politike të UÇK – së.
Marëveshja e ekstradimeve që u nënshkrua nga ish presidentja Atifete Jahjaga
Me 9 qershor të vitit 2011, saktësisht 1 vit pas vrasjes së Harun Aliut, ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga do të dekretonte marrëveshjen mbi ekstradimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, e cila u nënshkrua në muajin prill, 2011.
http://www.mfa-ks.net/repository/docs/Marr._Ks-Maq_(Ekstradimi)_(shqip)-2.pdf
Në preambulën e kësaj marrëveshjeje, palët e dakorduara, e arsyetonin si përkushtim në aspiratën e tyre për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale në frymën e miqësisë ekzistuese. E, nga kjo marrëveshje, ish regjimi i Nikolla Gruevskit përfitoi shumë koka shqiptarësh që kryesisht ishin ish luftëtarë të UÇK – së, ndërsa zëri i “mbrojtësve pro – perëndimorë të demokracisë” në Kosovë, kurrë nuk u dëgjua!/Sakte.net