Ka shumë pak njerëz në Kosovë që ta kenë përkrahur politikisht kryeministrin Isa Mustafa më shumë se unë.
Si për LDK, ashtu edhe për Qeveri.
Disa vite më parë kam besuar se ai do të ndërtojë një imazh të ri të lidershipit për Kosovën për shkak të përvojës së gjatë në jetën publike – ndryshe nga figurat tjera politike që e kishin vetëm potencën e arrogancës në jetën politike.
Por, paskam qenë i gabuar në kohë dhe në shpresën se Profesori do të dijë të marrë vendime strategjike për vendin.
Kam huqur kohën kur ai duhej përkrahur, pa e menduar se element kryesor i definimit të tij do të jetë deficiti politik që ai e shpreh çdo herë, dhe i vjen paarsyeshëm nga e kaluara.
Ky deficit i paarsyeshëm e bën të vakët në prurjen e vendimeve strategjike për vendin.
Posaçërisht në raport me Serbinë.
Thjesht, është i paguximshëm dhe nuk prek fare analogjitë e kohës.
Ta marrim për shembull, çështjen e trenit.
Sikur Serbia të kërkonte leje nga institucionet e Kosovës për qarkullimin normal të trenit Beograd–Mitrovicë, do ta përkrahja plotësisht lejimin e tij.
Por, me këtë arrogancë të stërtepruar nacionaliste serbe, me keqpërdorim të ikonografisë religjioze që na e përkujton Millosheviqin e vitit 1989, heshtja e deritashme e Qeverisë dhe Kryeministrit është ofenduese për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Lënia kaq e gjatë e durimit të efekteve të propagandës serbe nuk na bën pikë nderi.
Kur e vendosa këtë titull isha shumë i bindur se më e mira për vendin tonë është shkuarja e kësaj Qeverie dhe e këtij Kryeministri.
Po i parashtroj disa pyetje që kërkojnë përgjigje në pafuqinë e tij.
Zoti Kryeministër,
A e dinë qytetarët e Kosovës çka do të bëhet me murin?
A e dinë qytetarët se çka do bëhet me trenin?
A e dinë qytetarët pse nuk i kanë vizat për lirinë e lëvizjes në Europë?
A e dinë qytetarët çfarë do bëhet me Asociacionin?
A e dinë qytetarët çka do të bëhet me Demarkacionin?
A e dinë qytetarët a do të hyjë shteti i Serbisë plotësisht në veri?
A e dinë qytetarët e Kosovës se në kufirin Kosovë-Serbi xhandarmëria serbe është zëvendësuar me ushtri?
A e dinë qytetarët se çfarë do të bëjë BE-ja dhe a do ta mbrojë ajo agresionin e Serbisë në Kosovë?
A e dinë qytetarët se çfarë do të bëjë një qeveri kur një shtet tjetër bën agresion?
Pse duhet të jetë EULEX në Kosovë kur Interpoli burgos njerëzit tanë në kufij?
Janë edhe dhjetëra pyetje tjera për të cilat kjo Qeveri nuk ka dhënë përgjigje në vitin 2016 dhe nuk i ka ato në vitin 2017.
Dhe të gjitha këto pika janë prezente dhe të pazgjidhura sot, sepse kemi Qeveri që rrezikon vendin dhe lirinë tonë duke mos marrë vendime strategjike për qytetarët e saj.
Kjo Qeveri nuk ka përgjigje për asnjërën nga këto pyetje që shtrova.
Edhe më keq – është e pafuqishme të sjellë çfarëdo vendimi për të mirën tonë.
Për qetësinë tonë dhe për sigurinë tonë.
Të gjitha këto çështje kanë një referencë diku.
Analogjitë historike janë delikate.
Zakonisht, ato japin mësime të ndryshme. Por, ato, njëherazi ndihmojnë për t’i sqaruar idetë, ndonëse dallohen ndryshimet në kohë.
Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër nuk ka dëshirë të mësojë nga analogjitë. Atij nuk po i ndihmon periudha e gjatë në politikë – duke i përjetuar të gjitha kohët politike në 40 vitet e fundit – që ta marrë një vendim të duhur për vendin.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mund të jetë njeri i mirë, por në këtë kontekst askujt nuk i duhet mirësia e tij.
Duke qenë i mirë kësisoj, ai është i pafuqishëm.
Duke qenë zemërak dhe i qetë, duket i paqartë.
Duke qenë i heshtur dhe pa qëndrim, po bëhet i rrezikshëm për shoqërinë.
Duke qenë Kryeministër pa vendime, bëhet i rrezikshëm për vendin.
Duke qenë i lehtë në gjykim dhe frikacak në përballje, pa dashje mund të bëjë dëm.
Qeverisja e PDK dhe LDK është qeverisje pa bole dhe pa vizion.
Shpëtojeni vendin dhe dërgojeni në zgjedhje.
Kryeministër, jep dorëheqje!
Qytetarët e Kosovës janë në ankth. Nuk e dinë cilat janë vendimet e juaja, që edhe ashtu s’i merrni kurrë. Ose, cilat janë vendimet e juaja që po flenë tua në sirtarë?
Shpëtojeni veten, mirësinë tuaj, pasi nuk është turp ta pranoni pafuqinë në një post të fuqishëm.
Pafuqia, ashtu si arroganca e tepërt, e çojnë vendin në paqartësi.
Të dyja janë të dëmshme.
Të dyja këto i keni përdorë keq politikisht.
Por, ne nuk ua kemi borxh që vendin ta çosh në të panjohurën.
Kryeministër, jep dorëheqje!
Për të mirën tuaj dhe për të mirën tonë.