Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk kishte reaguar plot 24 orë për arrestimin në veri të shefit të zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, shkruan Periskopi.
Për herë të parë, kryeministri tregoi pse nuk kishte reaguar lidhur me aksionin e Policisë për arrestimin e Gjuriqit.
“Nuk kam fol se u mush televizori, fol ai, fol ai. Dikush duhet me i kry punët. Ka qenë situatë e ndjeshme, mirë që ka përfundu pa viktima, se ka mujt me shku edhe më keq. Duhet me pas kujdes, nuk ja vlen retorika kur ka gjana kaq serioze”, tha Haradinaj.
Tutje, ai tregoi se si nuk ishte informuar me kohë për ndalesën që i ishte bërë Gjuriqit për vizitë.
“Unë jam informuar në gjysmë të kohës për ndalesën që i është bërë Gjuriqit. Atij i është ndaluar vizita prej të premtes, ndërsa unë e kam marrë vesh të dielën. Ka qenë çështje protokollare. Ministria e Jashtme i ka ndaluar vizitën, Ministria e Punëve të Brendshme e ka zbatu vendimin. Vendimi është marrë në bazë të ligjeve e kushtetutës. Një natë përpara kanë filluar procedurat. E kemi dit që ka me ardh. I kemi paralajmëruar që të mos vjen derisa është ndalesa, sepse kështu do të ndodh. Do të isha ndier i fyer sikur Policia të dështonte të arrestonte Gjuriqin. Nuk është në rregull me qenë ndalesa, e ai me u leju me hy”, deklaroi kryeministri Haradinaj