Gazetare: Fatlume Dervishi
Funksionarë të lartë shtetëror bënë homazhe dhe vendosën kurorë me lule para përmendoreve dhe memorialeve të luftëtarëve në 81 vjetorin e Kryengritjes Popullore, shkruan Alsat.
Presidenti Stevo Pendarovski duke uruar 11 Tetorit tha se vendi përballet me ndarje të thellë të shoqërisë.
Ai bëri thirrje për bashkim. Presidenti vendosi lule tek përmendorja e Çlirimtarëve të Shkupit.
“Siç dolën partizanë, pas flamurit liridashës, të majtë dhe të djathtë, maqedonas dhe pjesëtarë të bashkësive të tjera, fshatarë, punëtorë, esnafë dhe të pasur, ashtu edhe tani duhet të bashkohemi dhe të bashkuar të përballemi me problemet. 11 Tetori dhe lufta antifashiste le të jenë frymëzim për tejkalimin e ndasive dhe pajtim nacional përmes respektit të ndërsjellë. T’i lëmë interesat personale dhe kotësitë anash dhe të punojmë për të mirën e përbashkët, të bekuar me mundësinë të jetojmë në liri dhe paqe, në shtetin tonë”, tha Stevo Pendarovski, President.
Nga Memoriali Përkujtimor në Kumanovë, Kryeministri Dimitar Kovaçevski dërgon mesazhin se amaneti i shenjtë i luftëtarëve, i të qenit në anën e drejtë është marrë dhe do t’u përcillet gjeneratave të ardhshme. Kovaçevski shtoi se vendi duhet të vazhdojë në rrugën e nisur evropiane.
“Sot, të jesh në anën e duhur do të thotë integrim në BE, pranim i vlerave evropiane, arritje e standardit evropian, kontribut në paqen evropiane. Sot, në kontekst global të ngjarjeve, të jesh në anën e duhur nënkupton të ndihmosh që të vazhdojë zhvillimi i sigurisë, ekonomisë dhe jetës së qytetarëve. Bllokimet e ligjeve dhe masave, si dhe bllokimi i përparimit në planin ndërkombëtar, izolimi i shtetit, janë anë e gabuar dhe me asgjë nuk mund të arsyetohet sjellja e këtillë sepse është vepër bashkëkohore e tradhtisë e popullit dhe shtetit tënd”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kreu i opozitës Hristijan Mickoski, qëndroi me funksionarë të partisë së tij në qytetin e Prilepit. Ai tha se luftën për çlirim nuk duhet ta shikojmë nga këndvështrimi të cilin e imponon pushteti.
“E vërtetë është se gjatë Luftës së Dytë Botërore, fashistët bullgarë kanë bërë krim në territorin e Republikës së Maqedonisë së sotme kurse populli maqedonas u bashkua dhe fitoi mbi krimin. Populli maqedonas në atë kohë ka qenë në anën e vërtetë të historisë. Ashtu është edhe sot, ashtu do të jetë edhe në të ardhmen do të luftojmë kundër fashistëve kurse Maqedonia ka qenë dhe do të mbetet shtet antifashist”, theksoi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Më 11 Tetor 1941 një grup prej 16 partizanësh të çetës së Prilepit sulmuan stacionin e ushtrisë fashiste bullgare, dhe burgun. Përplasjet e partizanëve me fashistët bullgarë u shtrinë për pak ditë edhe në Kumanovë e Shkup./ Alsat.mk