
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim miqësor Kryetarin e Kuvendit të R.M.V Afrim Gashi, në prani të Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe z. Avni Dehari. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në rajon, çështje me interes të përbashkët dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve. Palët nënvizuan përkushtimin për avancimin e projekteve strategjike që lidhin Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar atmosferën konstruktive të bisedimeve.
“Diskutuam për zhvillimet politike në rajon, çështjet me interes të përbashkët dhe theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të dy vendeve tona. Gjithashtu, nënvizuam përkushtimin për avancimin e projekteve strategjike që i lidhin shtetet tona,” njoftoi Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të RMV.
Takimi u cilësua si një hap pozitiv drejt thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, me fokus në projekte konkrete dhe koordinim rajonal.



