Kryeparlamentari i Shqipërisë: Zgjidhja për vizat nëpërmjet Brukselit, jo Shqipërisë

Shqipëria vazhdon të inkurajojë Kosovën që t’i përmbushë kriteret e fundit të përcaktuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave dhe të mos pres që çështja të zgjidhet përmes lëshimit të pasaportave shqiptare për shtetasit e Kosovës.

 

Një mesazh të tillë, Tirana kësaj radhe ka sjellë përmes kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi i cili po qëndron në Prishtinë me ç’rast ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës.

I pyetur nëse Kuvendi i Shqipërisë mund të nxjerr ligj që lehtëson marrjen e shtetësisë dhe pasaportës së Shqipërisë nga shtetasit e Kosovës, siç kishte propozuar kohë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryekuvendari Ruçi tha se është më mirë që Kosova të përqendrohet në kriteret e përcaktuara ku bën pjesë edhe ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Unë e kam ndjekur atë që presidenti Thaçi kërkoi nga presidenti Ilir Meta. Unë e kam një përgjigje dhe ajo është se, ne jemi dhe mbështesim një zgjidhje të Bashkimit Evropian për çështjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Ruçi.

“BE-ja nuk duhet ta lë Kosovën si një ishull të izoluar në Ballkan. Andaj, unë inkurajoj të gjitha forcat politike që çështja e Demarkacionit të zgjidhet, nëse kjo është pengesa, edhe pse mendoj se Kosova i ka përmbushur kërkesat evropiane”, theksoi ai.

Ruçi tha po ashtu se nuk ka nevojë që çështja e vizave të zgjidhet “përmes relacioneve shqiptaro-shqiptare”, por në relacionet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, në takimet e zhvilluara me Ruçin u tha se Kosova dhe Shqipëria kanë orientime të përbashkëta në rrugën e integrimeve evropiane.

Kryekuvendari nga Shqipëria shoqërohej në këtë vizitë edhe nga shefat e grupeve parlamentare në pushtet dhe opozitë. Pas takimeve të ndara me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli u tha se të dyja vendet po përgatiten që të kremtojnë së bashku 28 nëntorin, Ditën e Flamurit shqiptar.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka përgëzuar spektrin politik të Kosovës për pjekurinë e treguar në procesin zgjedhor të 22 tetorit.

Ruçi është shprehur i bindur që në mbledhjen midis dy qeverive që do të mbahet në fund të nëntorit në Korçë të Shqipërisë, pritet që të zgjidhen shumë çështje të mbetura pezull mes të dyja shteteve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë atij medaljen “Urdhri i Lirisë”, e cila sipas Thaçit, paraqet mirënjohje për angazhimet e kryekuvendarit Ruçi dhe shtetit shqiptar në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Thaçi tha se e falënderonte gjithë spektrin politik në Shqipëri “për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës si në kohën e luftës, tranzicionit demokratik dhe kohës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Thaçi është shprehur më se i bindur që Shqipëria e ka si top prioritet Kosovën në çdo nivel të përfaqësimit të saj diplomatik nëpër botë.

“Kontributi për lirinë e Kosovës nuk i përket asnjë individi dhe nuk më përket as mua dhe këtë medalje që më ndani i takon gjithë spektrit politik shqiptar”, tha Ruçi.

Ndërkaq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ky i fundit tha se përtej fjalëve, të dy shtetet duhet të angazhohen që bashkëpunimi të ndodhë në vepër.

Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë brenda një viti do të formojnë një komision të përbashkët parlamentar.

Veseli tha se ka diskutuar me Ruçin për mundësitë e avancimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve dhe vendeve në përgjithësi, në funksion të lehtësimit të qarkullimit të dyanshëm, të shkëmbimeve tregtare e arsimore dhe përvojave parlamentare.

“Me Shqipërinë asgjë nuk na ndanë, na bashkon gjithçka. Zëri i saj është dhe do të mbetet avokati dhe zëri me argumentues i kauzave tona politike në rajon dhe në sferën ndërkombëtare”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se përcaktimi shtetëror i Kosovës është integrimi në BE dhe në Aleancën Veriatlantike, procese këto në të cilat, siç tha kryetari, përvoja e Shqipërisë është e domosdoshme.

Ai shtroi nevojën e një bashkëpunimi më të avancuar për heqjen e barrierave burokratike, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, rritjen e investimeve të përbashkëta, zgjidhjen e çështjeve të arsimit dhe temave tjera praktike të interesit të përbashkët.

Shqipëria ka ftuar edhe zyrtarisht udhëheqësit politik të Kosovës që së bashku të organizojnë shënimin e Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor. /RadioEvropaeLirë/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme