Kryeparlamentarja Spiropali në Horën e Arbëreshëvet: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, emblema solemne e kombit shqiptar

Kryetarja e Kuvendit,  Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë në Horën e Arbëreshëvet, në Itali për të marrë pjesë në veprimtaritë festive me rastin e themelimit të Horës.


SPIROPALI

Në vijim të vizitës, Kryeparlamentarja Spiropali përshëndeti në Konferencën mbi Gjergj Kastrioti Skënderbeun, organizuar nga Bashkia e Horës, me pjesëmarrjen e autoriteteve vendore, qytetarëve dhe përfaqësues të Diasporës shqiptare nga vende të ndryshme të botës.

Duke vlerësuar figurën e Heoit tonë Kombëtar, Spiropali nënvizoi se “Gjergj Kastrioti Skënderbeu është emblema solemne e kombit shqiptar, është hiri, himni, heroika dhe vetë flamuri i ndërgjegjës sonë kombëtare. Eshtë Ati që lindi dhe Biri që mbrojti Atdheun. Eshtë prova dhe sprova, është shembulli dhe vizioni, është ëndrra e jetuar dhe beteja e fituar në kryeluftën tonë për identitet: Perëndim që lind apo Lindje ku perëndon!”

Kryetarja Spiropali vlerësoi edhe kontributin e komunitetit arbëresh të Horës në historinë dhe kulturën shqiptare. “Hora e Arbëreshëvet dhe ju, arbëreshët e Horës, keni një kontribut madhor në mbijetesën dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe letërsisë arbëreshe. Hora është një qendër e rëndësishme e lulëzimit kulturor, social, politik dhe fetar të komunitetit arbëresh. Hora ka meritën si një nga kolonat mbështetëse më të fuqishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe Rilindjes Italiane dhe në luftën për bashkimin e Italisë.

Emra të ndritur nga Diaspora historike si  Lekë Matrënga, Gjergj Guxeta, Marko La Piana, Lorenzo Petta, Xhuusepe Musakia, Paolo Skiroi, Dhimitër Kamarda, Gaetano Petrota, Nilo Borgia, Rosolino Petrota, Zef Skiroi, Nikola Barbato etj., si edhe nga Diaspora e re, si akademikët e shquar Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà, i bëjnë nder komunitetit arbëresh, kulturës dhe letërsisë shqipe.

Është merita e arbëreshëve që mundësoi njohjen ligjërisht, më 1999, të komunitetit arbëresh si pakicë gjuhësore historike në Itali.

Duke venë në dukje se vitet e fundit Kuvendi, qeveria dhe institucionet e Shqipërisë i kushtojnë një kujdes të veçantë bashkëpunimit me Diasporën, komunitetet dhe përfaqësuesit e saj, Kryetarja Spiropali vlerësoi edhe kontributin e spikatur të Kryetarit të Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, Rosario Petta, si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës.

Kryeparlamentarja Spiropali nënvizoi se “Bashkëpunimi me komunitetin arbëresh dhe me shqiptarët emigrantë në Itali po zhvillohet në një kontekst shumë pozitiv, edhe për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres Georgia Meloni. Partneriteti Strategjik dhe bashkëpunimi intensiv dypalësh, mbështetja e fuqishme nga Italia e integrimit evropian të Shqipërisë, marrëveshja e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Italinë për pensionet, zbatimi i Protokollit të Bashkëpunimit për emigrantët e paligjshëm, bashkëpunimi i gjerë dhe intensiv parlamentar mes Kuvendit, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, angazhimi  i qeverisë italiane për mbështetjen e Kosovës, kontributi i përbashkët dhe mbështetjen për paqen dhe luftën e drejtë të Ukrainës janë disa tregues të bashkëpunimit Shqipëri-Itali, i cili asnjëherë nuk ka qenë më i mirë dhe më produktiv se sot.”

Në vijim të vizitës në vendbanimin kryesor arbëresh në Siçili, Kryetarja e Kuvendit vizitoi sot Muzeun e Kulturës Arbëreshe “Nicola Barbato” në Horën e Arbëreshëvet, ku pati mundësinë të njihte nga afër historinë, kulturën, traditat, punën dhe jetën e përditshme të komunitetit arbëresh. Gjatë vizitës, ajo shprehu vlerësimin e saj për ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit kombëtar nga ky komunitet në diasporë.

Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit vizitoi edhe bibliotekën “G. Schirò”, e cila shërben si një libër i hapur për historinë, kulturën, jetën dhe qytetërimin e Arbëreshëvet të Horës. Aty, ajo u njoh me koleksionin e gjerë të materialeve të rralla që dokumentojnë rrënjët e thella dhe trashëgiminë kulturore të arbëreshëve.

Kryetarja e Kuvendit, së bashku me Papas Janin, mori pjesë edhe në një ceremoni shpirtërore në kishën lokale, ku morën bekimin e Shën Mërisë Odigitria. Ky moment solemn u bë një lutje e përbashkët për mirëqenien e të gjithë Arbëreshëve të Horës, të Siçilisë, të Italisë, dhe për shqiptarët kudo që ndodhen në botë.

Fjala e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, në Konferencën mbi Gjergj Kastrioti Skënderbeun në Horën e Arbëreshëvet

I nderuar z. Kryetar i Bashkisë,
I dashur Rosario,
Të nderuar kryetarë të bashkive arbëreshe,
Zonja e zotërinj, të nderuar miq,

Mirë se ju gjej të gjithëve, motra dhe vëllezër të kësaj shtëpie të madhe arbërore.

Më lejoni të mos kem ndrojë nga emocioni. Më lejoni të provoj të dëshmoj me ca pak fjalë të mangëta, të paplota dhe tejet larg asaj që më thotë zemra, këtë ndjesi të parrëfyeshme që po provoj përpara jush, njëlloj si në një udhëtim në kohë ku takon etërit, farën dhe fisin që nuk shuhet. Që është me thinja si gjyshërit dhe plot jetë si tek mbesat e nipërit që këndojnë si De Rada.

Faleminderit përunjësisht që më bëtë pjesë të veprimtarive në kuadrin e Festa della Fondazione 2024. Shumë mirënjohje që me ftuat të bashkohemi në këtë ditë të shënuar, që ka në qendër Atin e përjetshëm të shqiptarëve kudo që janë, Kastriotin e lavdishëm dhe zulmëmadh, këtë hero të Arbërit që Arbëria ja ka dhuruar pjesës më të ndritshme të historisë së gjithë kontinentit tonë.

Nuk ka shqiptar nga gjaku e besimi, nga gjuha dhe dheu ku i prehen gjyshërit që kur mendon për Gjergj Kastriotin e madh nuk shndërrohet në historian. I aftë të flasë për lindjen e tij si të diellit dhe shkëlqimin e tij si të një ditë pa natë harrese në fund.

Ne shqiptarët, me krye në male dhe kembët në det, të ashpër si malësorë dhe të trazuar si detarë, mund të mos biem dakort për shumëçka me njëri-tjetrin. Ne mund të debatojmë dhe të mbajmë madje mëri edhe ndryshimin e stinëve, por në një pikë biem të gjithë dakort. Të gjithë pranojmë njëzëri se Gjergj Kastrioti Skënderbeu është emblema solemne e kombit shqiptar, është hiri, himni, heroika dhe vetë flamuri i ndërgjegjës sonë kombëtare. Eshtë Ati që lindi dhe Biri që mbrojti Atdheun. Eshtë prova dhe sprova, është shembulli dhe vizioni, është ëndrra e jetuar dhe beteja e fituar në kryeluftën tonë për identitet: Perëndim që lind apo Lindje ku perëndon!

Në historinë tonë kombëtare Skënderbeu është një udhëheqës i madh politik dhe ushtarak, një prijës popullor, shtetar dhe shtetëformues, luftëtar i penës dhe diplomat i shpatës.

Kuvendi dhe Besëlidhja e Lezhës, plot 580 vjet më parë, në vitin e largët 1444, u bënë themeli i shtetit të Arbërit, një shtet që në agun e Evropës ishte një copë e Evropës së kombeve që do të vinte më pas.

Parë nga largësia e viteve Gjergji është shndërruar në mit, por një mit tmerrësisht i rrallë që bën bashkë e njehson realitetin si ka qenë, me romantizmin e asaj që do të do donim të ishte. Një mit në të gjallë që dhe mbaj Ikjes, frymëzoi të nesërmen e shqiptarëve dhe do ta frymëzojë rishtaz deri në përjetësi, deri në ditën që Zoti e ka thënë vetë me gojë, se edhe mes kombeve që mund të shuhen, Shqipëria do të jetojë përjetësisht.

Gjergj Kastrioti u priu arbërve në beteja kundër perandorisë më të madhe të kohës, por ai ishte shpirti që frymëzoi Rilindjen Kombëtare për zgjimin e Shqiptarëve që rikërkonin sërish vendin e tyre në Evropë.

Rilindja Kombëtare, si një epokë e ndritur në historinë e shqiptarëve, si periudha e krijimit të kulturës dhe të politikave kombëtare, është frymëzuar nga epoka skënderbejane e mbrojtjes së lirisë.

Gjergj Kastrioti ndërtoi një diplomaci shtetërore, të mbështetur në bashkëpunimin dhe përkrahjen nga mbretëritë dhe principatat evropiane, duke e bërë shtetin që krijoi një protagonist evropian e botëror.

Për 25 vjet me radhë Skënderbeu u bë një parzmore e mbrojtjes së Krishtërimit dhe qytetërimit europian. Duke ndërtuar një digë të dytë në brigjet lindore të Adriatikut, Skënderbeu u mbylli osmanëve rrugën drejt Italisë dhe Europës dhe i dha luftës për liri dhe për organizim shtetëror të shqiptarëve një dimension europian.

Shqiptari tjetër i madh Kadare, thotë se figura e Skëndërbeut mishëron Perëndimin. Sepse tek Kastrioti dhe koha e tij qëndrojnë rrënjët e identitetit europian të shqiptarëve, si një referencë themelore për vetëdijen tonë kombëtare.

Si ditë e plotë ai shtjellej,
Me re dhe erë mbi atdhe.
Një emër, Gjergj, e kish si diellin,
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Kështu këngëzonte Kadareja për Atin e shqiptarëve, këtë meritonte ky hero që ishte dhe dielli dhe hëna e tyre.

Disa qindra libra historikë, enciklopedikë, studimorë, letrarë, janë shkruar në Shqipëri, në Europë e në botë për figurën e Skënderbeut.

Luftrat dhe figura e Skënderbeut kanë frymëzuar artistë të kalibrit botëror, si Rembrandi, Llongfellou dhe Vivaldi.

Bustet dhe emri i Skënderbeut tij u japin hijeshi shesheve dhe rrugëve në Tiranë, Prishtinë, Romë, Gjenevë, Zyrih, Paris, Londër, Bruksel, Budapest, Shkup e madje edhe në Miçigan e Çikago, në Shtetet e Bashkuara.

Tani Gjergji vjen në bronx si shenjt mbrojtës dhe monument kujtese edhe në qytetin tuaj si për të na kujtuar ne të gjithëve, që na bashkon një “gljuhë e një gjak”, se secili nga ne sot, e fëmijët tanë nesër, do të jemi po secili një gur në piedestalin e pavdekshëm të Kastriotit tonë. Mirënjohje artistit skulptor Gëzim Muriqi dhe Shoqatës Hora e Skënderbeut, për këtë dhuratë të bukur për Horën!

Të nderuar miq,
Është shumë domethënëse që të flasim për Skënderbeun këtu, në Horën e Arbëreshëvet.

Figura e Gjergj Kastriotit ka qenë një faktor mbijetese dhe kohezioni, si midis të gjithë brezave të shqiptarëve, ashtu edhe ndër ju, arbëreshët.

Hora e Arbëreshëvet dhe ju, arbëreshët e Horës, keni një kontribut madhor në mbijetesën dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe letërsisë arbëreshe.

Unë jam e nderuar të jem sot në qendrën më të madhe të Arbëreshëve të Siçilisë dhe Italisë, për nga numri i popullsisë.

Por Hora e Arbëreshëve është më tepër se kaq. Është një qendër e rëndësishme e e lulëzimit kulturor, social, politik dhe fetar të komunitetit arbëresh të Siçilisë dhe Italisë.

Ju ia keni dalë të ruani e të kultivoni tiparet e veçanta etnike, gjuhën tonë të vlerë, siç e cilësonte Naim Frashëri, ritet dhe veshjet e bukura.

Hora ka meritën si një nga kolonat mbështetëse më të fuqishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Ashtu siç është i njohur kontributi juaj edhe në Rilindjen Italiane, në luftën për bashkimin e Italisë dhe bashkëpunimin me Garibalidin e garibaldinët gjatë shekullit të 19.

Kontributi i Arbëreshëve në kulturën dhe qytetërimin shqiptar është një fakt i njohur historik dhe bashkëkohor.

Prej jush kanë dalë emra të ndritur të kulturës dhe letërsisë shqiptare, nga Diaspora historike dhe diaspora e sotme. Lekë Matrënga, Gjergj Guxeta, Marko La Piana, Lorenzo Petta, Paolo Skiroi, Dhimitër Kamarda, Gaetano Petrota, Nilo Borgia, Rosolino Petrota, Zef Skiroi, Nikola Barbato etj.

Akademikët e njohur, albanologë të shquar, Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà, me bashkëpunim aktiv me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, janë krenari e komunitetit arbëresh.

Nuk mund të le pa përmendur edhe një fakt tjetër se bashkimi rreth besimit fetar juve ju shërbeu si një vlerë e shtuar për ruajtjen e identitetit tuaj.

Është merita e juaj, të dashura motra e vëllezër, që në saj të përkushtimit, mbijetesës dhe largpamësisë që keni treguar, por edhe përkushtimit të parlamentarit dhe intelektualit arbëresh Mario Brunetti, që me përpjekje të palodhura mundësoi njohjen ligjërisht, më 1999, të komunitetit arbëresh si pakicë gjuhësore historike këtu në Itali.

Shpreh mirënjohjen për këtë parlamentar të shquar arbëresh, i cili u nda nga jeta pak javë më parë dhe që për mbi një dekadë ia kushtoi veprimtarinë si deputet luftës kundër Mafias, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe çështjes së Kosovës, për intelektualin, vepra e të cilit u bë një urë e miqësisë, që afroi njerëzit, kulturat dhe institucionet e Shqipërisë dhe Italisë.

Ju nuk jeni kufizuar vetëm me mbijetesën e gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare. Jehona e kontributit tuaj ka ardhur dhe vjen përditë në Shqipëri. Ditët e Librit Arbëresh, konkursi “Krenarbëria”, veprimtaritë e tjera shkencore e promovuese dhe botimet e shumta të studjuesve dhe autorëve arbëreshë në Shqipëri janë vetëm disa prej tyre.

Në këtë kontekst, dëshiroj të vlerësoj dhe të shpreh mirënjohjen për kontributin e spikatur dhe rolin mjaft aktiv të Kryetarit të Bashkisë, mikut tonë Rosario Petta, si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës.

Siç është bërë tashmë e njohur, vitet e fundit Shqipëria, Kuvendi, qeveria dhe institucionet e saj i kushtojnë një kujdes të veçantë bashkëpunimit me Diasporën, komunitetet dhe përfaqësuesit e saj.

Një kontribut të rëndësishëm politikat tona për Diasporën jep edhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, si një institucion i posaçëm, ngritur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, dhe një ndër agjencitë kryesore që zbaton strategjinë dhe politikat për Diasporën.

Të dashur miq,
Bashkëpunimi ynë me komunitetin arbëresh, por edhe me shqiptarët emigrantë në Itali, po zhvillohet në një kontekst shumë pozitiv, edhe për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres Georgia Meloni.

Partneriteti Strategjik dhe bashkëpunimi intensiv dypalësh, mbështetja e fuqishme nga Italia e integrimit evropian të Shqipërisë, marrëveshja e saporatifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Italinë për pensionet, zbatimi i Protokollit të Bashkëpunimit për emigrantët e paligjshëm, bashkëpunimi i gjerë dhe intensiv parlamentar mes Kuvendit, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, angazhimi i qeverisë italiane për mbështetjen e Kosovës, kontributi i përbashkët më luftën për paqe në Ukrainë, janë disa tregues të bashkëpunimit Shqipëri-Itali, i cili asnjëherë nuk ka qenë më i mirë dhe më produktiv se sot. Jam besimplotë se nesër do të ketë edhe më shumë ura të tilla të përbashkëta të tillë në këto dy anë të Adriatikut, një prej të cilave, nga më të rëndësishmet, është dhe komuniteti juaj, aristokratët e hershëm arbër, por dhe emigracioni i atyre dhjetra mijëra shqiptarëve të ndershëm, familjarë e punëtorë që ndodhen në Itali.

Së fundmi, duke tentuar të gjej fjalët e duhura për t’ju shprehur mirënjohjen time të thellë për ftesën dhe emocionin e pafundmë që ndodhem sot këtu, dua t’ju rrëfej dhe diçka tejet personale.

Në Tiranë edhe miqtë, edhe kundërshtarët, herë me humor miqsh e herë me idhni kundërshtarësh, me quajnë Mamica, si motra e vogël e Gjergjit.

Në të vërtetë, të gjithë ne që na bashkon gjaku e gjuha, jemi bij të atij Ati të Madh, e kush është më fatlum për të qenë qytetar i mirë i atdheut, është dhe një gur modest më shumë në piedestalin që historia e kujtesa i ka ngritur bustit të Gjergj Kastriotit, Skendërbeut tonë legjendar.

Ju faleminderit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme