Personat të cilët flasin, nëpër media dhe rrjete sociale, lidhur me vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës është mirë që të njëjtat t’i deklarojnë edhe në Prokurorinë e Shtetit. Kështu të paktën ka deklaruar kryeprokurori i Republikës, Aleksandër Lumezi.
Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se institucioni të cilin e drejton ai do të merret seriozisht me deklaratat publike të cilat mundë t’i ndihmonin zbardhjes së vrasjeve të caktuara.
“Ne gjithsesi se do të bëjmë një kërkesë për grumbullimin e informacioneve dhe do t’i dëgjojmë këta persona që po prononcohen publikisht nëse ata kanë informacion i cili na drejtojnë në pistën e hetimeve”, u shpreh ai.
Më tej, Lumezi shpjegoi se është obliguese që çdo indicie që paraqet identitetin e kryesve të veprës penale të ndërmerren veprime të caktuara hetimore.
Kryeprokurori shtoi se me disa prononcime të cilat kanë për qëllim me ç’orientu sistemin e drejtësisë në rrugët e ndriçimit të rasteve të caktuara, të cilat i ka hetuar UNMIK-u apo EULEX-i, s’ka nevojë të merren me to.
“Mirëpo nëse dikush prej tyre ka informacion lidhur me identitetin e kryesit të veprës penale mirë kishte me qenë, edhe ligji dhe kushtetuta e obligojnë , që ato informacione t’i paraqesin në Prokurorinë e Shtetit, respektivisht tek organet e ndjekjes”, u shpreh ai.
Ndryshe, sot me rastin e përvjetorit të vdekjes së veprimtarit të LDK-së Enver Maloku, analisti dhe gazetari Bajrush Morina ka thënë që një deputet i Kuvendit dhe gruaja e tij janë fajtorët për vdekjen e Malokut, por nuk ka përmendur emra.
Lidhur me këto deklarata ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri i ka kërkuar kryeprokurorit Lumez që i njëjti të merret me deklaratën e Morinës.
“Këtë rast ta trajtojë menjëherë, në mënyrë që pretenduesi të paraqesë faktet e pretenduara përmes së cilave akuzon njërin nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose në të kundërtën të ballafaqohet me sistemin e drejtësisë”, u shpreh ministri i Drejtësisë./Indeksonline