Gazetar: Bashkim Sulejmani
Një kryq i madh është vendosur jashtë oborrit të Manastirit “Shën Naumi” i Ohrit në Kodër të Diellit. Leje për vendosjen e kryqit në këtë vend nuk ka dhënë Komuna e Tetovës, ndërsa pëlqim nuk është marrë as nga Parku Kombëtarë “Mali Sharr”.
“Komuna e Tetovës, nuk ka dhënë leje për ngritjen e kryqit në kodrën e Diellit, duke shpallur se është vendosur pa lejen e duhur. Inspektorët komunal kanë dalë në vendin e ngjarjes për të vërtetuar gjendjen faktike dhe për të kryer vlerësimin e situatës, pas çka do të merren masat ligjore për të garantuar zbatimin e rregullave dhe procedurave. Komuna e Tetovës edhe në këtë rast do respektojë të gjitha procedurat ligjore”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Si e para ne nuk jemi kundër objekteve fetare apo ngritjes së kryqit apo minares së caktuar por duhet të respektohen normat ligjore. Ne ekzistojmë tash e dy vite dhe deri më tani nuk ka arritur asnjë kërkesë apo shkrim dhe sigurisht se duhet të kërkohet mendim sepse ne japim mendim për objektet që ndërtohen brenda Parkut Nacional”, deklaroi Ibrahim Dehari, Drejtor i parkut Kombëtar “Mali Sharr”.
Tentuam që të marrim prononcim edhe nga udhëheqësit e Manastirit, por hasëm në dyer të mbyllura, si ne, po ashtu edhe inspektorati komunal dhe ai i Parkut Kombëtar. Përmes telefonit njëri nga anëtarët e këshillit të Manastirit të Kodrës së Diellit, pranoi se leje nuk është kërkuar ndërsa tha se bëhet fjalë për pajisje urbane për të cilën nuk kërkohet leje.
“Kryqi është ngritur në tokën e kishës dhe kjo është pajisje urbane dhe nuk është as përmendore asgjë. Është ngritur mbrëmë”.
Zotëri Bobi a duhet të merren megjithatë leje nga komuna dhe parku Kombëtar për vendosjen e tij?
“Parku nacional s’ka lidhje me këtë, përndryshe duhet për çdo objekt leja. Por ka komentime për objektet fetare gjoja se s’jepet, s’bëhet që sipas meje nuk është në rregull. Edhe objektet fetare duhet të trajtohen njëjtë. Nuk e di nuk kemi kërkuar leje nga komuna unë personalisht nuk kam kërkuar”.
Kanë reaguar edhe grupi i këshilltarëve të BDI-së. Ata kërkojnë mbledhje urgjente të këshillit për tu dhënë sqarimet e duhura.
“Në kërkojmë që në seancë të jetë edhe kreu i komunës që të na jepet sqarim se si u vendos ai kryq aty dhe si e thyen barrierën e inspektoratit ata që e vendosën kryqin”, tha Liridon Disha këshilltar komunal i BDI-së.
Sot pritet të mbahet mbledhja urgjente e Këshillit Komunal për tu sqaruar rasti. Nga komuna e Tetovës por edhe Parku Nacional, thonë se përgjegjësitë do të paditen dhe pas vendimit të gjyqit do veprohet njëjtë sikurse ndaj objekteve të ndërtuara pa leje në Kodër të Diellit. /Alsat.mk