Gazetar: Suad Bajrami
Vijon seanca e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në lidhje me ankesën e Frontit Europian për rivotimin në Llërcë të Komunës së Zhelinës, ku si rezultat, VLEN e fitoi një deputetë në llogari të Frontit, shkruan Alsat.
Për rivotimin në 6 vendovitmet në Njësinë Zgjedhore numër 5, partitë nuk kanë dorëzuar ankesa.
Sipas procedurës, pas vendimit të KSHZ-së, Fronti ka të drejtë të dorëzojë padi në Gjykatën Administrative, e cila duhet të vendos në afat prej 48 orëve.
Në ndërkohë, për nesër është caktuar seanca konstituive e Kuvendit, të cilën pritet që ta udhëheqë deputetja më e moshuar e përbërjes së re parlamentare, Merita Kollçi Koxhaxhiku.
Sipas rendit të ditës, seanca plenare ka katër pika.
Pasi të konstatohet kuorumi, zgjidhet përbërja e Komisionit Verifikues të Kuvendit, me propozimin e të cilit Kuvendi i verifikon mandatet e deputetëve. Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit, Komisioni Verifikues, dorëzon raport për çdo deputet dhe më pas i njëjti votohet.
Pas kësaj, deputetët do të zgjedhin përbërjen e Komisionit për Çështje Zgjedhjeve dhe Emërimeve, ndërkaq në fund, deputetët do të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.
Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive mund të zgjasë më së shumti tre ditë, ndërkaq Kuvendi llogaritet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e shtetit është e obliguar që ta japë mandatin për formimin e Qeverisë. Mandatari, në afat prej 20 ditësh duhet të dorëzojë në Kuvend program qeveritar dhe propozim të përbërjes qeveritare, që më pas të bëhet votimi në Kuvend me minimum 61 vota.
Sipas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Kuvendin do ta përbëjnë 58 deputetë nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni nga 18 deputetë LSDM dhe Fronti Europian, 14 deputetë VLEN dhe nga 6 deputetë E Majta dhe ZNAM./ Alsat.mk