Për më shumë se një muaj ministrat e Listës Serbe nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë, ndërkohë që deputetët e kësaj partie janë rreshtuar në krahun e opozitës në Kuvend.
Megjithatë, kthimi i plotë i Listës Serbe në Qeveri pritet të bëhet pas pak ditësh
Ndonëse është bërë më shumë se një muaj prej largimit (deklarativisht) të Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, gjatë kësaj jave pritet që ky subjekt politik të kthehet plotësisht në qeverinë “Haradinaj”.
Kështu kanë bërë të ditur burime të gazetës “Zëri”, të cilat kanë treguar se pas pak ditësh Lista Serbe do të marrë vendim përfundimisht për t’u kthyer plotësisht në Qeveri.
Gjatë muajit të fundit ministrat e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës as një ditë nuk janë larguar nga vendet e tyre të punës, madje gjatë kësaj kohe ata edhe kanë marrë vendime me rëndësi në dikasteret që ata drejtojnë.
Kurse nga Zyra e kryeministrit Haradinaj kanë deklaruar për gazetën se pritet që Lista Serbe ta rishqyrtojë vendimin dhe të kthehen në ekzekutiv, shkruan më tutje “Zëri”.
Në anën tjetër, deputetë dhe ministra të Listës Serbe gjatë javës së kaluar u panë në festën e 18-vjetorit të themelimit të AAK-së, të cilën prani deputetë të AAK-së e konsiderojnë një hap para drejt ndryshimit të qëndrimit të Listës Serbe.