Breshëri nga pushkët automatike dhe shpërthime të fuqishme kishin zgjuar banorët e Kumanovës më 9 maj të vitit 2015. Të trishtuar nga krismat e armëve, banorët e Lagjes së Trimave nuk kishin njohuri se çfarë po ndodhte jashtë mureve të shtëpisë ndërkohë shumë prej tyre kishin marrë flakë dhe po digjeshin nga përplasja e armatosur mes policisë dhe grupit të armatosur i prezantuar si Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Dhjetëra familje përjetuan trauma të rënda që nuk arrinin dot t’i përshkruanin.
“Situata shumë e vështirë ka qenë, shumë të shtëna armësh ka pasur, as ushqim e as gjëra tjera nuk kemi pasur, kohë shumë e vështirë, shumë shpejt ndodhi kjo, nuk e di çka të them, dashtë Zoti askujt mos i ndodhë kjo situatë”, shprehet një banor më 10 maj të 2015-tës.
“Veç kur i pamë dhe dëgjuam krismat, kuptuam se këtu është dike ndodhur diçka edhe më nuk kemi ditur asgjë se çfarë po ndodh. Tani kur u largua policia, kemi ardhur dhe po shohim se këtu ka masakër”, thotë një tjetër banor, shkruan Alsat M.
Gjatë të shtënave të 9 dhe 10 majit jetën e humbën 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 anëtarët të grupit të armatosur, 37 të tjerë u dorëzuan, në mesin e të cilëve, sipas tyre ishin e dy komandantët, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, por që sipas dëshmive të tyre janë ekzekutuar nga policia. Pas përfundimit të luftimeve dyditore në lagjen e Trimave, familjet nisën të kthehen në shtëpitë e tyre për të parë nga afër pasojat tmerruese të luftimeve.
“Deri në ora 4 kemi qëndruar në podrum poshtë, kur i ka shkuar flaka shtëpisë ka nisë t’i vije era në podrum edhe kam dalë, kur e pash flakën, fillimisht dola i vetëm, hapa rrugën, edhe i mora të tjerët dhe kur dolëm, pamë policinë”, deklaron një tjetër banor.
Vepra e grupit të armatosur nga policia është cilësuar si terrorizëm dhe agresion nga jashtë, por anëtarët e grupit kanë thënë se qëllimi i tyre nuk ishte nxitja e konfliktit por tërheqja e vërejtjes për ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për anëtarët e grupit që ishte dorëzuar deri më janë mbajtur mbi 50 seanca gjyqësore, por rasti ende nuk ka marrë epilog gjyqësor.
Mbrojtja është e bindur se ky rast është inskenuar nga shërbime sekrete ndërsa në një rast Stojanço Angellov, ish gjeneral i policisë kishte përmendur 2 milion euro që sipas tij ishin vënë në dispozicion të grupit. Në dy vjetorin e ngjarjeve në Kumanovë LSDM-ja përmes një komunikate shpreh respekt ndaj pjesëtarëve të MPB-së që humbën jetën në këtë konflikt.
Në komunikatë thuhet se Qeveria e re e udhëhequr nga LSDM rasti do të angazhohet seriozisht për zbardhjen e rastit në mënyrë transparente, të pavarur dhe profesionale. Nga VMRO-ja kanë akuzuar LSDM-së se në vend se të dënojnë sulmin mbi policinë ata kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku sipas partisë së Gruevskit janë fotografuar me sulmuesit e policisë.
Në një nga seancat e radhët për ngjarjet në Kumanovë janë ftuar të dëshmojnë edhe drejtuesit e BDI-së si Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Artan Grubi, Ejup Halimi, Sadulla Duraku e të tjerë.