Kulti i djepit akoma ruhet në disa zona të thella të vendit

Tiranë, 6 shtator – Që të hidhja disa rreshta mbi kultin e djepit më nxiti një vizitë turistike në zonën veriore të Shqipërisë këtë fundjavë dhe pikërisht një udhëtim në Valbonë, shkruan autori i këtij shkrimi në ATSH.

Atje, veç mrekullive të natyrës që Zoti i ka falur vendit, janë ruajtur bukur traditat familjare dhe ato shoqërore.

Ajo e pritjes së mikut, e veshjes, pra etnografia, folklori dhe më e shenjta, zakoni i lindjes dhe vdekjes.

Kisha kohë që s’kisha parë djep të vërtetë. Aty e pash në një kullë të zakonshme fshati malor dhe më e çuditshmja ishte se mbi të qëndronte një nënë e re dhe brenda saj një foshnjë e sapolindur.

Më folën për zakonet, traditën, lashtësinë e djepit dhe përse nuk e kishin zëvendësuar me një shtrat modern. I zoti i kullës më shumë heshti se foli, por unë kuptova atë, që për ta djepi nuk zëvendësohej kollaj.

 

Djepi zë një vend të veçantë në kulturën materiale e shpirtërore shqiptare.

Për nga funksioni djepi gjatë kohës është përdorur si shtrat i fëmijës, qoftë gjatë fjetjes apo pushimit.

Përdorimi i tij daton që nga kohërat e lashta dhe këtë e dëshmojnë gjetjet e ndryshme arkeologjike. Thuhet se ky relikt është i vjetër që nga periudha e neolitit.
Në kohë të vjetra ai është punuar prej gurit, kurse më vonë ai zëvendësohet prej drurit.

Te romakët djepi ka qenë në formë të koritës, grekët e vjetër e punonin prej thuprave dhe ishte pjesë e inventarit të shtëpisë, ndërsa egjiptianët e vjetër djepin e ndërtonin në formën e shportës. Ndërsa tek ne bëhej prej dru lisi, që fëmija të rritej i fort si lis.

Në traditën shqiptare ka qenë zakon që djepi të sigurohet më herët, d.m.th para se të lindë fëmija. Në të shumtën e rasteve djepin e siguronte gjyshi i fëmijës.

Nga ana tipologjike janë dy lloje djepi, ai i katundit që zakonisht janë punuar nga mjeshtrit popullorë dhe kanë qenë më të vegjël për shkak se nënat kur kanë dalë në ara për të punuar i kanë marrë ata me vete dhe i qytetit që ka qenë më i madh për arsye se nëna e foshnjës ka qenë çdo herë afër tij.

Djepat janë stolisur në forma të ndryshme. Dikur ata dekoroheshin me simbole pagane të cilat kanë vazhduar edhe deri në kohët e sotme, por me disa ndryshime në stil.
Deri në ditët e sotme djepi është ruajtur dhe trashëguar me një fanatizëm të madh edhe përkundër teknologjisë e cila kërcënon çdo vlerë tradicionale. Në tregje mund të hasësh në djepa modern, të cilët deri diku ia kanë humbur vlerën djepit të punuar prej druri.

Një gjë interesante sa i takon djepit është se një pjesë e madhe e të mërguarve nga fshatrat e thellë malor, i kanë marrë ose përdorin ata edhe në Amerikë, apo shtete të tjera të largët.

Rreth djepit janë thurur praktika të ndryshme besimi e religjioni të lidhura me mirëqenien dhe ardhmërinë e fëmijës, prandaj shpesh djepi ishte dekoruar me figura të shumta dhe objekte të tjera “me fuqi magjike” në kuptim mbrojtës, gjithashtu në të gdhendeshin simbole të ndryshme, që shërbenin si dekore, art, por edhe me qëllim të mbrojtjes së fëmijës.

Djepi gjithashtu përdorej në rite të ndryshme kur ishin në pyetje familjet në të cilat fëmijët vdisnin apo familjet që ishin në kërkim të fëmijëve.

 

Një nga faktorët më të rëndësishëm për paraqitjen e djepit është migrimi i popujve nomad.

Ata në udhëtimet e tyre janë përpjekur që të sigurojnë rehati për fëmijët ndërsa mënyra më e mirë ka qenë djepi. Ajo është vendosur mbi kalë apo të tjera kafshë ndërsa gjatë udhëtimit fëmija është ndjerë i mbrojtur dhe rehatshëm.

Djepi është shumë i dobishëm për shëndetin e fëmijës pasi mundëson që trupi të jetë i shëndetshëm dhe njëkohësisht është i rëndësishëm edhe për zhvillimin normal të eshtrave.
Ka rëndësi të veçantë edhe në formimin e psikologjisë së fëmijës dhe familjes ku është djepi, sepse të vjetrit ose vetë nënat, këndojnë vargje të vjetra me përmbajtje mitike, trimërie ose dhe fatkeqësie. Nëse i marrim parasysh aspektet shpirtërore, djepi mundëson komunikimin hyjnor mes fëmijës dhe nënës.

Ai është konsideruar tepër i shenjtë dhe mbikëqyrej në mënyrë të veçantë. Përdorej edhe si mburoj kundër fatkeqësive apo hasmërive, nxirrej përpara si shenjë dialogu apo nënshtrimi. Në mitologjinë biblike thuhet se edhe Shën Gjergji kur luftonte me dragonjtë mbante si mburojë një djep dhe si hesht një parmendë. Dy simbole të rëndësishme, jeta dhe buka.

Sot, djepin shpesh e shohim të gdhendur me simbole kombëtare, shqiponjën dykrenare ose flamurin kombëtar dhe që më shpesh e gjejmë në madhësi të suvenirit për dhurata simbolike.

Kështu që funksioni i djepit po ndryshon prej një objekti utilitar në një objekt me funksion tërësisht simbolik.

Djepi mbetet simboli i vazhdimit të jetës, aq më rrallë e shikojmë këtë simbol në shtëpitë tona, veçse në zona të thella e të varfëra ku qytetërimi dhe zhvillimi, akoma nuk kanë mbërritur bashkë me ekspansionin e tyre teknologjik.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme