Sot në Gjykatën Themelore Kumanovë mbahet seanca e radhës për rastin e katërvjeçarit Almir Aliut. Seanca paraprake ishte shtyrë për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve.
Sipas burimeve të televizionit Alsat-M, edhe seanca e sotme është caktuar pa harmonizimin e qëndrimeve mes prokurorëve të prokurorisë së lartë dhe asaj republikane të cilët mbeten të ndarë në vlerësime sa i përket ngritjes së akuzës për autorin e veprës.
Prokurorët shqiptar kanë kundërshtuar propozimin e Këshillit Penal në Kumanovë që lënda të rikualifikohet nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Por, propozimin për rikualifikimin e lëndës e kanë mbështetur prokurorët maqedonase gjë që ka çuar në ndarjen e tyre në baza etnike. Në seancën e kolegjit në Prokurorinë e Lartë dhe më pas në atë Republikane, 4 prokurorët shqiptar u mbi-votuan nga 6 prokurorët maqedonas, në anën e të cilëve ishte edhe kryeprokurori i ri.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në qershor të 2016 pas një zënke banale para urgjencës së qytetit në Kumanovë mes familjarëve të viktimës dhe të dyshuarit, i cili sipas dëshmitarëve, duke u larguar me veturën e tij, e ka goditur për vdekje katërvjeçarin, Almir Aliu.