Kumbarët të parët e kanë kuptuar se ka lidhje mes zhdukjes së Vanjës dhe Pançes

Gazetar: Mihajllo Donev

Kiraca Trajkovska dhe djali i saj Goce Trajkovski ishin të parët që e lidhën zhdukjen e Vanja Gjorçevskës në Shkup me zhdukjen e Pançe Zhezovskit nga Velesi, dëshmoi sot Trajkovska në Gjykatë. Familjet Trajkovski dhe Gjorçevski kanë lidhje kumbarie, andaj menjëherë pas zhdukjes së Vanjës, Kiraca ka dërguar djalin e saj Gocen te Aleksandri për t’i ndihmuar në kërkim. Duke parë incizimet e automjeteve që i kishte siguruar Goce, sipas mënyrës së lëvizjes, Citroeni me targa të Velesit ka qenë i dyshimtë dhe pasi kanë parë në rrjetet sociale se ishte rrëmbyer një banor i Velesit, Kiraca dhe Goce i kanë lidhur të dy rastet me intuitë.

“Pash publikime në rrjetet sociale që Pançe mungon. Pyetnim kush ishte njeriu i zhdukur. Djalin tim Gocen e lidha me një të afërm nga Velesi, që së bashku të bashkëpunonin dhe të vazhdonin kërkimet. Ata gjetën incizim nga Velesi, nga një pikë karburanti, ku Pançe shihet duke drejtuar Citroenin me një person tjetër. Shihej targa. Kisha intuitë që ky rast ishte i lidhur me Vanjën”, tha Kiraca Trajkovska– dëshmitare.

E pyetur nga i akuzuari i parë Palevski nëse ajo beson se ai është vrasësi, Trajkovska tha “jo, sidomos nëse arsyeja janë paratë”. Djali i saj Goce Trajkovski sot nuk u paraqit në Gjykatë për shkak të sulmit të panikut. Prindërit e Aleksandrit dëshmuan sot se ai nuk kishte borxhe, ishte i varur për një kohë të shkurtër dhe u shërua.

“Secili nga anëtarët e familjes dhe miqtë ndërmerrte veprime sipas një intuite personale, sipas ndonjë perceptimi personal të gjërave dhe pavarësisht nëse ishte reale në atë moment”, u shpreh Vlladimir Tufegxhiq, avokat i të akuzuarit Aleksandar Gjorçevski.

Seanca e radhës është caktuar për 20 nëntor. Vanja dhe Pançe, nga Velesi, të cilët kërkoheshin me ditë të tëra, u gjetën të vrarë më 3 dhjetor të vitit të kaluar./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme