Kupchan thotë se ideja e këmbimeve territoriale ka vdekur për shkak të Gjermanisë

Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, Charles Kupchan, beson se çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinën e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kupchan ka thënë se shkëmbimin e territoreve do ta përkrahte për arsye pragmatike.

“Unë besoj se çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinë të negociatave, sidomos nëse do të ofronte një mundësi për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse në një mënyrë do të përbënte problem për rajonin, pasi do të rikrijoheshin mundësi për vija kufitare në baza etnike, por të paktën është një mundësi për të tejkaluar këtë situatë bllokuese. Kjo do të kërkonte më pas mbështetjen e popullsisë në Kosovë dhe Serbi, tani shihet se nuk ka disponim për një gjë të tillë, sidomos në anën e Kosovës. Mirëpo mendoj se evropianët dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të tentojnë të shtyjnë përpara Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë bisedimet, sepse duhet të ketë normalizim dhe Kosova, që është de fakto e pavarur, duhet të bëhet de jure e pavarur për të pasur paqe afatgjatë në Ballkan”, ka thënë Kupchan.

Sipas tij muaj më parë disponimi për të negociuar mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë ndryshe, mirëpo dialogu tani gjendet në rrugë qorre edhe për shkak të tarifës prej 100 për qind, që Qeveria e kryeministrit në dorëheqje të Kosovës, Ramush Haradinaj u ka vënë importeve nga Serbia.

“Ka qenë një kohë kur bisedimet në mes të presidentit Vuçiq dhe presidentit Thaçi, kanë treguar shenja të përparimit, sidomos sa i përket çështjes së shkëmbimit të territoreve, ku disa pjesë në veri të Kosovës do t’i transferoheshin Serbisë dhe një pjesë e Luginës së Preshevës do të transferohej në Kosovë. Mirëpo ajo gjë duket se ka vdekur për shkak të kundërshtimeve të kryeministrit Haradinaj, një pjesë për shkak të kundërshtimeve nga Gjermania dhe palëve tjera evropiane, dhe tani jemi në një situatë kur ekziston një rrugë qorre, kryesisht për shkak të tarifave që Kosova ka vendosur.

I pyetur nëse ndonjë zgjidhje eventuale e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të përfshinte shkëmbim territoresh, do të përbënte precendent në vendet tjera të Ballkanit, Kupchan është përgjigjur kështu:

“Çështja e shkëmbimit të territoreve është shumë kontraverse dhe shumica e analistëve për Ballkanin besojnë se duhet larguar nga tavolina. Unë mendoj se duhet të jetë aty sepse nuk shoh shkëmbim të territoreve më të pakëndëshëm politikisht apo moralisht sesa ndarja e Kosovës nga Serbia, e që ka qenë rikrijim i kufijve përgjatë vijave etnike. Andaj nëse do të ketë ndonjë një marrëveshje afatgjatë në mes të Kosovës dhe Serbisë për shkak të shkëmbimit të territoreve, unë do ta përkrahja për arsye pragmatike.

Por, po ashtu mendoj se është shumë e vështirë për Kosovën që të ecë përpara dhe të funksionojë si shtet demokratik kur ka një pjesë të territorit që nuk dëshiron t’i përkasë shtetit. Veriu i Kosovës ende ka lidhje të fuqishme me Serbinë, shumica e serbëve që jetojnë atje besojnë se nuk duhet të jetojnë brenda Kosovës, prandaj është një çështje e vështirë”.

Por, a do të kishte rrezik të përhapjes së kësaj ideje?

Kupchan: Mendoj se ndoshta po. Mendoj se do të ketë individë, duke përfshirë vetë (liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad) Dodik, që do të thoshte se nëse veriu i Kosovës mund të shkëputet nga Kosova, atëherë pse Republika Srpska nuk mund të shkëputet nga Bosnja? Mirëpo sërish unë besoj se ana pozitive e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të përbënte arsyetim, edhe pse ekziston mundësia e krijimit të trazirave në Bosnje dhe ndoshta edhe në Maqedoninë e Veriut, ku mund të ketë rritje të tensioneve në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve si pasojë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë në një pjesë të intervistës ai shprehet kështu:

Nëse përfshirja e veriut të Kosovës me Serbinë ndikon që ata (serbët) të kenë ndjenjën e kthimit të shtetit, ose aq sa për t’i shtyrë që ta njohin Kosovën si shtet, atëherë unë them se duhet të ndodhë kjo gjë. Sepse ky është hap tutje drejt paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.​

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme