Presidenti Thaçi ka pasur marrëdhënie të vështirë me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Por, kjo nuk e ka ndaluar atë që ndryshojë rrënjësisht mendim për të, diçka të cilën nuk e kanë bërë të gjithë ish-kolegët e tij të PDK-së.
Kur në vitin 1999, ish-Drejtori Politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, njoftonte përmes telefonit se Shtabi i Përgjithshëm kishte marrë të gjitha përgjegjësitë e udhëheqjes së luftës, ai paralajmëronte dënim të rëndë për Rugovën.
Deklarata të ashpra në drejtim të Rugovës ishin nxitur pas takimit të tij që kishte pasur me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq.
“Shtrirja e dorës së marrëveshjes kryekriminelit të popullit shqiptarë, është atak i drejtpërdrejt në luftën e drejtë çlirimtare të popullit shqiptare. Është atak edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ShBA-ve, NATO-s e Grupit të Kontaktit”, thoshte Thaçi atë kohë.
“Veprimet e tilla antikombëtare të Rugovës do të dënohen rëndë,” i drejtohej popullit Thaçi përmes televizionit shqiptar.
Por, veprimet e Rugovës të cilat nuk i kanë pëlqyer Thaçit nuk e kishin penguar atë që të fitojë bindshëm zgjedhjet e para në Kosovën e pasluftës, duke mbetur figurë kryesore në politikën kosovare.
Hashim Thaçi në anën tjetër, ishte detyruar të qëndrojë në opozitë së bashku me Partinë Demokratike të Kosovë, deri në vitin 2007, një vit pasi Rugova kishte ndërruar jetë.
Në ato rrethana, Thaci nuk ka qenë në pozitë të dënojë Rugovën ashtu sic paralajmëronte, por përkundrazi është pajtuar gradualisht me pozitën e tij si një nga njerëzit më meritor për pavarësinë e Kosovës.
Të shtunën, me rastin e 11 vjetorit të vdekjes së tij, Thaci deklaroi se Rugova ka dhënë kontribun të jashtëzakonshëm për pavarësinë e vendit, duke postuar një fotografi teksa përkulej para varrit të tij.
Ndërsa ditë më parë, në një intervistë për emisionin Komiteti, ai tha se Rugova ka qenë një njëri i guximshëm, që kishte marrë përsipër udhëheqjen e Kosovës në vitet më të rënda.
Por, derisa qëndrimi i Thacit ndaj Rugovës ka pësuar ndyshim drastik ndaj viteve, një ish-koleg i tij partiak vazhdon të ruaj të paprekur mendimin e tij për presidentin e parë të vendit.
Nuredin Lushtaku, aktualisht deputet I PDK-së, në vitin 2006 gjatë ushtrimit të deturës së komandatit të Gardës së Kosovës në TMK, kishte refuzuar të dërgojë pjesëtarët në funeralin e Rugovës.
Në 11 vjetorin e vdekjes së tij, ai ka deklaruar se 17 janari i vitit 2006 ka qenë ditë e zakonshme për të edhe pse mijëra njerëz pritnin orë të gjata për të bërë homazhe para trupit të pajetë të Rugovës.
“Në atë kohë më është kërkuar nga ish-komandanti i TMK-së Agim Çeku, që t’i dërgojë pjesëtarët e Gardës në ceremoni mortore. E kemi diskutuar dy-tri herë këtë punë. Unë kam qenë i pajtimit që t’i dërgoj edhe pse nuk kam pasur një urdhër me shkrim. Unë e kam vlerësuar që nuk ka arsye që pjesëtarët e Gardës t’i dërgoj për ta nderuar Ibrahim Rugovën”, ka thënë ai.
Lushtaku thotë se Rugova nuk e ka ndihmuar UCK-në me asgjë dhe se nuk ka merituar trajtim më të mirë.
“Ai asnjëherë nuk e ka njohur UÇK’në, nuk e ka ndihmuar ushtrinë me asgjë, përkundrazi ka pas lloj-lloj etiketimesh prej tij. ‘Jo janë dorë e zgjatur e Serbisë, pjellë e UDB’së’ e plot etiketime tjera”, ka thënë ai për Tribunën.
“Edhe njëqind përvjetorë, arsyet janë të njëjta. Edhe nuk e ndjej veten keq asnjëherë për veprimin që e kam bërë”./Insajderi/