I pyetur se a ka gjasa që Vetëvendosje ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendi, nëse PAN-i nuk tërhiqet nga kandidatura e tij, Kurteshi ka thënë për lajmi.net se të gjitha mundësitë janë të hapura dhe se nuk është Vetëvendosje ajo që po e bllokon formimin e institucioneve, por është PAN-i.
Kurteshi i ka bërë thirrje koalicionit PDK-AAK-Nisma që të mos e bojkotojë seancën konstituive.
Lajmi.net: Si e vlerësoni situatën rreth konstituimit të institucioneve të reja? A ka gjasa atë përsëritet kriza e vitit 2014?
Kurteshi: Vonesa veç po ndodhë, por duhet të identifikohen qartë shkaktarët e kësaj vonesë. Do të thotë vonesën po e shkakton koalicioni PAN, i cili donë me arrit diçka që votat nuk ia lejojnë. Nuk i kanë votat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për ta zgjedhur Qeverinë, mirëpo ata po insistojnë me çdo kusht që ta bëjnë një gjë të tillë përmes shantazheve, përmes ofertave që po ua bëjnë deputetëve dhe ky është një korrupsion i hapur, një keqpërdorim i votës së qytetarëve.
Ne kërkojmë që ata të kthehen në Kuvend, ta lënë bojkotin anash, ta nxjerrin kandidatin e tyre, ta provojnë, nëse i kanë votat atëherë le t’i formojnë institucionet, nëse nuk i kanë, le të hapin rrugë për formimin e institucioneve. Përndryshe, ata po marrin përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe para qytetarëve të këtij vendi të cilët janë lodhur me këso lloj shantazhesh. Vendi ka nevojë për institucione të reja që të fillojnë t’i zgjidhin problemet që janë grumbulluar.
Lajmi.net: Në opinion është thënë se posti i kryetarit të Kuvendit është formal dhe se ndoshta është më mirë që subjektet tjera ta votojnë kandidatin e PAN-it për kryeparlamentar në mënyrë të hapet rruga për formimin e Qeverisë. A e keni shqyrtuar mundësinë që ta votoni kandidatin e PAN-it, në mënyrë të hapet rruga për formimin e Qeverisë nga Vetëvendosje, nëse dështon PAN-i për ta formuar atë?
Kurteshi: Askush nuk ka deklaruar nga Vetëvendosje se nuk do ta voton një kandidat të PAN-it për kryekuvendar. Është folur për emra të përvetshëm, por nuk kemi thënë se nuk do ta votojmë asnjërin nga kandidatët e PAN-it. Andaj rruga është e hapur, duhet ta shfrytëzojnë këtë rrugë që është e hapur edhe t’i hapin perspektivat për krijimin e institucioneve dhe për zhvillim normal të proceseve dhe të punës së institucioneve.
Lajmi.net: Në fund të fundit, nëse PAN-i nuk tërhiqet nga kandidimi i Veselit për kryetar të Kuvendit, a ka gjasa që ndoshta edhe atë ta votoni me qëllim që të hapet rruga për formim të Qeverisë nga Vetëvendosja në rast se dështon PAN-i për ta formuar?
Kurteshi: Unë vetëm fola për mundësitë, të gjitha mundësitë janë të hapura, nuk është Vetëvendosje ajo që po e bllokon formimin e institucioneve, PAN-i është ai që po e bllokon dhe është mirë që të apeloni te PAN-i edhe ju si media edhe shoqëria në përgjithësi që të heq dorë nga këto synime të cilat janë në kundërshtim me mundësitë e tyre, sepse mundësitë e tyre i ka kufizuar vota dhe në kundërshtim me procedurat zgjedhore. Ata janë obliguar të marrin pjesë në seancën konstituive. Atje e kanë të drejtën të propozojnë kë të donë, pastaj del rezultati dhe pas atij rezultati dihet se çka ndodhë nëse është votu kandidati apo edhe nëse nuk është votu. Dihen procedurat, nuk ka nevojë për bllokadë.