Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për rastin e shtetasit Faton Hajrizi, i cili u raportua se u vra disa ditë më parë në Serbi.
Kurti ka kërkuar hetim vendor e ndërkombëtar për ndriçimin e këtij rasti.
“Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e Faton Hajrizit, dhe institucionet tona janë përpjekur maksimalisht që në vazhdimësi të transmetojnë informacion zyrtar. Së fundmi përmes MPJD jemi informuar nga Drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe më 22 korrik kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të njëjtat shenja së bashku me shenjat e qytetarit Faton Hajrizi janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit Drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ka pranuar se këto shenja i takojnë shtetasit Faton Hajrizi”, ka thënë Kurti.