Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një psotimi në Facebook, ka bërë të ditur se në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë, ka theksuar 4 elemente si Sundimi i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimi kundrejt autokratëve, përballja me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale.
Ai po ashtu ka thënë Ballakani Perëndimor duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ku përfitimi do të ishte i dy anshëm.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sundimi i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimi kundrejt autokratëve, përballja me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale, janë katër elemente të cilat i ritheksova në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë si më të rëndësishmet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në panelin “Future of Europe – Enlargement” (E ardhmja e Evropës – Zgjerimi), diskutova për përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si përfitim i dyanshëm. Asisoj shtetet tona dhe mërgata do të ishin në të njëjtin entitet, me dobi të madhe ekonomike e njerëzore. Psh. remitancat në Kosovë përbëjnë mbi 20 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Vura theksin te korniza e re e bashkëpunimit, e quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore), e cila do të zëvendësonte CEFTA-n dhe do të modelohej sipas EFTA-EEA, si një kornizë që ndihmon të gjitha gjashtë shtetet dhe secilin prej tyre drejt integrimit evropian.
Në margjina të këtij Forumi, takimin e parë e pata me Kryeministrin e Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq dhe ministrin e Punëve të Jashtme e Çështjeve Evropiane të Kroacisë, z. Gordon Grliq Radman. U shpreha mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihmën që Republika e Kroacisë ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod.
Takime bilaterale pata me Presidentin e Sllovenisë, z. Borut Pahor, themeluesin dhe kryetarin e Forumit Ekonomik të Delphi-it, z. Symeon Tsomokos, Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, z. Miroslav Lajçak, Komisionerin Evropian për Fqinjësi e Zgjerim, z. Oliver Varhelyi si dhe Presidentin e Këshillit Evropian, z. Charles Michel.
Sfida e përbashkët e përballjes me pandeminë COVID-19 dominoi diskutimet, krahas nevojës për përkrahje të njëri-tjetrit për menaxhimin e kësaj krize globale./arbresh.info/