Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dje ka dërguar një kërkesë në adresë të Komisionit të Venedikut për të kërkuar opinion mbi kompetencat e Presidentit në lidhje me propozimin e mandatarit të Qeverisë, pas kalimit të një mocioni të suksesshëm të mosbesimit në Kuvend.
Kërkesa e kryeministrit në detyrë gjithashtu kërkon nga Komisioni i Venediku sqarim mbi kompetencat e Presidentit të vendit mbi shpërndarjen e Parlamentit.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i ekzekutivit në detyrë, Përparim Kryeziu.
Dje gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pezulloi një dekret te Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, deri më 29 maj, pasi ai një ditë më herët dekretoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të vendit.
Kështu, seanca e paraparë të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës nuk do të mbahet.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, lidhi koalicion për bashkëqeverisje me partinë e dytë, LDK-në. Por, pas 51 ditësh, partia e Isa Mustafës me anë të një mocioni të mosbesimi rrëzoi ekzekutivin e Albin Kurtit.
Kështu, Isa Mustafa lidhi loalicion me AAK-në e Ramush Haradinaj, Nismën e Fatmir Limajt, Listën Serbe dhe partitë tjera pakicë./Valon Fana, kallxo.com