Kurti: Kërkesa e Thaçit për gjendjen e jashtëzakonshme, e paarsyeshme, e palogjikshme, e papërgjegjshme, e padobishme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për propozimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

“Mbrëmë kishim një zhvillim të pazakontë, meqenëse presidenti i Republikës së Kosovës u angazhua për t’u shpallur gjendja e jashtëzakonshme në vendin tonë”, ka thënë Kurti fillimisht, në një konferencë për media, në natën e së mërkurës.

“Kishim edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, raportet e të cilit i marr përditë. Në këto raporte, ka një gjë të përbashkët: Te konkluza mbi gjendjen e sigurisë është ngjyra e verdhë. Nuk është ngjyrë portokalli, as ajo e kuqe. Situata është nën kontroll, dhe e menaxhueshme”, ka deklaruar ai.

“Por, përkundër kësaj, pikërisht në KS, u propozua që të kemi shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit”, ka shtuar Kurti.

“Për bindjen time të fuqishme, kjo është e paarsyeshme, e palogjikshme, e papërgjegjshme, e padobishme”, ka deklaruar kryeministri i vendit.

“Në konsultën me presidentin pardje, edhe në mbledhjen e mbrëmshme, e përsërita qëndrimin tim, se i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme…”, ka treguar Kurti.

Sipas Kurtit, nga Thaçi ishte “një insistim i parapërgatitur, me tekste të gatshme, që me çdo kusht të shkohet në shpallen e gjendjen e jashtëzakonshme”.

“Tash ne e dimë që jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit të Kosovës, për kërkesën e presidentit për dekretin e tij për gjendjen e jashtëzakonshme. Edhe sot jam i bindur se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Është  mundshme që një situatë e tillë të shfaqet në javët në vijim. Uroj që kjo të mos ndodhë, por jam i bindur se as mbrëmë, as sot, s’kemi nevojë për një gjë të tillë”, ka vlerësuar Kurti.

Sipas tij, gjendja e jashtëzakonshme “është masë ekstreme, më në skaj të së cilës nuk mund të shkosh më”. /Express/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme