Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi ka shënuar rritje ekonomike për 9.9 për qind, që e përbënë rritjen më të madhe ekonomike që nga shpallja e pavarësisë.
Këtë e ka bërë të ditur në një takim deputetët e Parlamentit Gjerman, Christian Petry, nga Partia Social Demokrate SPD dhe Boris Mijatoviq, nga Partia e Gjelbër.
Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, Petry falënderoi kryeministrin për takimin. Ai theksoi që është i gëzuar që Kosova është rreshtuar me shtetet që shkojnë drejt Bashkimit Evropian.
Deputetët u interesuan për situatën aktuale si dhe marrëdhëniet bilaterale me shtetet fqinje. Kurti theksoi se shpreson që kancelari Scholz e rikthen Procesin e Berlinit në vëmendje të akterëve në Bashkimin Evropian.
Deputeti Mijatoviq theksoi rëndësinë e faktit që në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane është i theksuar integriteti territorial i Bosnjës dhe se kjo vlen për tërë rajonin.
Në takim u diskutua mbi situatën me COVID-19 dhe masat e reja mbrojtëse. Kurti i njoftoi që mbi 60% të popullatës mbi 16 vjeç tashmë janë të vaksinuar, ndërsa po vazhdon vaksinimi edhe me dozën përforcuese.
Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, reformë të drejtësisë dhe qeverisje të mirë.
“Ai i njoftoi se sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rritja ekonomike është 9.9 %, e që përbënë rritjen më të madhe ekonomike që nga shpallja e pavarësisë. Buxheti i vitit 2022 është buxheti më i madh ndonjëherë në Republikën e Kosovës, me një rritje prej 12% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Bazuar në indikatorët ekonomikë, ekonomia vendore po përformon mirë, me rritjen e të hyrave doganore për mbi 1/3, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksportet janë rritur me 66%, të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, e investimet e huaja për 53%”, ka thënë ai.
Në fund të takimit, deputetët gjerman theksuan që te politikbërja gjermane do të ketë vëmendje të shtuar për Kosovën dhe rajonin, si dhe premtuan mbështetjen e tyre për objektivat e përbashkëta.