Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në panel diskutimi dhe ka zhvilluar disa takime bilateral në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se Kurti në panelin me diskutim me liderë me temën “Përfaqësimi i ndryshimit”, ka thënë se “Ndryshimi politik ka nevojë për një lëvizje: një kauzë, një organizatë dhe një përpjekje”.
Kurti ka marrë pjesë në këtë panel bashkë me kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, presidentin e Guinea Bisaut, Umaro Sissoco Embaló, dhe sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić, ku u bisedua mbi rininë, drejtësinë dhe punësimin.
Për invazionin rus në Ukrainë dhe implikimet e sigurisë për të gjithë Evropën u bisedua në takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit të Letonisë, Artis Pabriks, me ç’rast Kurti e falënderoi atë për kontributin e Letonisë në Misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe mbështetjen për agjendën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).
Ndërkaq, në takimet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, dhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri Kurti theksoi se “nuk duhet t’u dorëzohemi autokratëve askund, asnjëherë”.
“Vetëm një botë e bashkuar, demokratike aktive do të ndalojë Putinin dhe do të parandalojë despotë të tjerë në të ardhmen”, theksoi ai.
Në kuadër të këtij forumi, kryeministri Kurti ka takuar edhe Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, ku theksoi se sanksionet kundër Rusisë janë minimumi që mund të bëjnë. Në këtë takim, Kurti ka kërkuar më shumë vëmendje për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe që “të mos injorohet lufta hibride në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.



